Veç emrit (Enver), çfarë të veçante tjetër ka Hoxhaj?!

Lajme

Veç emrit (Enver), çfarë të veçante tjetër ka Hoxhaj?!

Më: 31 gusht 2014 Në ora: 11:21

Puna e do që një diplomat, sidomos kur përgjatë karrierës ka ushtruar dhe postin e lartë të ministrit të jashtëm, të lerë gjurmë në akte, por sidomos në thënie; të cilat më pas skaliten në kujtesë, e brezat që vijnë i marrin si referencë inteligjence, mençurie e aftësie të lartë në postin e ushtruar. Por ne, ende nuk kemi të tillë.
Kosova aq më pak, ndonëse në situatat delikate të përjetuara në gjithë këto vite, e që ende i përjeton, do kish mundur të ofrojë modele të tilla, po t`i kish patur.
I ndjeri Alia Izetbegoviç, ish-lideri boshnjak që kaloi situata akoma më të vështira duke qenë në krye të një populli që i therrej si bagëti prej serbit, mu në atë kohë, regjistron me dhjetra thënie në nivel postulatesh gjatë kohës që bënte politikë e diplomaci bashkë, sa me homologët e tij të ish-Jugosllavisë e sa me liderë europianë.
E nëse përpiqeni të kujtoni qoftë dhe një prej lidërve kosovarë, dje në luftë e sot në paqe, vështirë do e keni. Më të lartën, me mjeshtëroren, më letraren e diplomatiken, do e hasnin vetëm tek Ismail Kadare, i cili thënies së ish-ministrit të jashtëm serb Vuk Jeremiç, se Kosova do anëtarësohet në OKB kur të shkelë mbi kufomën time, ju përgjigj duke i thënë: “Si shumë rëndësi i jepni kufomës tuaj, zotëri!”
E së fundi, është Ivica Daçiç, kreu aktual i diplomacisë serbe, që i është drejtuar homologut të tij kosovar, duke i thënë të mos e ngrejë zërin shumë e të mos bëhet më katolik se Papa! Përse?! Si shkak i përfshirjes së palës kosovare në debatet mbi situatën në Ukrainë, shkruan Dita.
Pa i hyrë shumë faktit nëse në të drejtën është Daçiç apo pala kosovare, mjafton që batuta e njohur me personazh Papën, nuk ka patur ndonjë kundërbatutë më të fortë. Dhe nuk është e para herë që ndodh kjo me kreun e diplomacisë kosovare, Hoxhaj.
40 të arrestuar kosovarë të dyshuar për pjesëmarrje në luftën e Sirisë javë më parë, patën pretekstin më të mirë mbrojtës përballë akuzave, duke thënë se ishin inspiruar nga deklarimet e Hoxhajt, për rreshtim me opozitën siriane.
Pati ndonjë kundërdeklaratë nga ana e Hoxhajt, edhe pse kishte kohë të mendohej për ta gjetur me mjeshtëri e finesë diplomatike një të tillë?! Sigurisht që jo! Diplomat që i rroftë emri, për shkak të ngjashmërisë me atë të ish-udhëheqësit komunist të Shqipërisë; se për ndonjë fjalë të artë a deklaratë brilante, zor se do mbahet mend. Dhe këtu është diferenca mes një diplomati e një të punësuari si ministër i jashtëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat