​Arsimi problematik fillor

Lajme

​Arsimi problematik fillor

Më: 31 gusht 2014 Në ora: 08:10

Një shkollë parauniversitare pa klasën e 13-të, me reforma të cilat po synohet që të fusin mësimin e gjuhës angleze që nga klasa e parë, në klasa ende të ngarkuara me numër të madh nxënësish, sidomos në disa shkolla të arsimit të ulët dhe të mesëm të ulët (klasat 1 deri në 9) me një kurrikulë që nënkupton vlerësim ndryshe për nxënësit, si dhe një sërë ndryshimet të tjera - do të nisë fillimi i vitit të ri shkollor 2014/2015, në shkollat publike të Kosovës.

Përderisa zyrtarë të Ministrisë së Arsimit deklarojnë se kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor, ekspertë të arsimit parauniversitar, sidomos të atij të detyrueshëm, thonë se në këtë nivel të arsimit shumëçka nuk po shkon mire, shkruan Koha Ditore.

Dukagjin Pupovci, ekspert i arsimit, ka nisur nga e para. Ai ka thënë se kushtet infrastrukturore në arsimin e obligueshëm janë përmirësuar dukshëm. Në 15 vitet e kaluara janë ndërtuar dhe rinovuar qindra objekte shkollore, ndërkohë që në zonat rurale dhe semiurbane një numër i konsiderueshëm punojnë vetëm në një ndërresë, pra kanë kushte për mësim tërëditor. Shumica e shkollave në zonat urbane punojnë në dy ndërresa, gjë që ndodh edhe në vendet e tjera të rajonit, ndërkaq një numër simbolik i tyre vazhdojnë të punojnë në tri ndërresa, ka thënë ai.

Por, ka shtuar se megjithëkëtë, nuk mund të thuhet se çdo gjë ka shkuar si duhet.

Sipas tij, së pari, ka pasur lëshime të shumta në planifikim, kështu që në zonat rurale ka dhjetëra shkolla të reja, të cilat nuk shfrytëzohen sa duhet, pasi ka numër të vogël të nxënësve.

E dyta, cilësia e punëve nuk ka qenë gjithnjë në nivelin e duhur, prandaj edhe ndodh që objektet e reja të jenë në gjendje jo të mirë pas vetëm disa vitesh. E treta, mirëmbajtja e objekteve është jocilësore, pra lejohet që ato të shkatërrohen shpejt dhe të mos ofrojnë kushte optimale për punë.

Dhe, e katërta, në shumicën e shkollave mungojnë mjetet e konkretizimit dhe nuk përdoret sa duhet teknologjia e informacionit, duke e përfshirë edhe internetin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat