Familjarët e të pagjeturve ende jetojnë në ankth

Lajme

Familjarët e të pagjeturve ende jetojnë në ankth

Më: 30 gusht 2014 Në ora: 08:01

Edhe 15 vjet pas luftës, Kosovës i mungojnë edhe 1700 persona, të cilët evidentohen si të zhdukur gjatë luftës së fundit. Trupat e tyre ende nuk janë gjetur dhe familjaret vazhdojnë t’i kërkojnë ata. Me gjithë ankthin në të cilin kanë jetuar tërë këto vite, ata vazhdojnë t’i kërkojnë, duke shpresuar që të paktën eshtrat e tyre të kthehen në vendlindje dhe të dihet varri i tyre, pranë të cilëve mund të vendosin lule, apo të qajnë atëherë kur u mungojnë.
Familjarët të cilët tërë këto vite kanë përjetuar tmerrin, duke i kërkuarme të dashurit e tyre gjallë apo vdekur, thonë se edhe kthimi i eshtrave të tyre në Kosovë, është një lehtësim për ta, pasiqë ua din të paktën varrin. Megjithëse, familjarë nga të gjitha anët e Kosovës, vazhdojnë t’i presin eshtrat e më të dashurve të tyre, të cilët u vranë në luftën e fundit nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, Drenica ishte ajo të cilës së fundit nga Serbia iu kthyen eshtrat e 16 qytetarëve të vrarë, për fatin e të cilëve tash e 15 vite nuk kishin ditur asgjë.

Familja Morina nga Çikatova e vjetër e Drenasit, të cilës ditë më parë iu kthyen në Kosovë, eshtrat e tetë familjarëve të tyre, thonë se kjo sadopak ua ka lehtësuar dhimbjen që ata kanë pasur me vite, pasiqë asgjë nuk kanë ditur për fatin familjarëve të tyre.

Ramiz Morina, i cili si ushtar i UÇK-së, kishte varrosur me duart e tij të 19 trupat e personave të vrarë, të cilët më pas janë zhvarrosur dhe janë zhdukur që nga 1999-ta, kujton tmerrin e përjetuar. E po ashtu për të mbetet e pakuptimit që tash e sa vite, ata kanë qenë të zhdukur dhe s’është ditur asgjë për fatin e tyre. Ndërsa, kthimi i eshtrave të tyre, ai thotë që ua lehtëson pak dhembjen të cilën e kanë tash e 15 vite.

“Njëqind për qind e kemi ditur që janë të vrarë. Por se ku gjenden nuk e kemi ditur. Tash po dihet fati i tyre ku gjinden dhe është një fat i mirë që po na kthehen eshtrat në vendin tonë në Kosovë. Presim me padurim t’i varros”, tha ai.

Megjithëse trupat e tyre u kthyen nga Serbia në Kosovë, Morina thotë se atyre u mungojnë gjymtyrët dhe se vetëm dy trupa të kthyer, i kanë pasur të gjitha gjymtyrët komplet.

“Gjatë pushkatimit kanë qenë të masakruar kogja shumë. Të dëmtuar me plumb, në mënyra të ndryshme të dëmtuar. Ka pasur që se ka pasur një pjesë të dorës, një pjesë të kokës. Edhe për ne ka qenë shumë e vështirë me i identifiku”, ka pohuar ai.

Mirëpo, edhe pse janë kthyer eshtrat, ata ende nuk janë varrosur, edhe pse tek varrezat e fshatit tash e sa kohë janë vendosur pllakat me emrat e tyre, të cilat prisnin trupat e zhdukur të kthehen dhe të varrosen në atdhe. Evendimi për të mos i varrosur ende, ka qenë i familjarëve, të cilët po presin edhe trupat e personave të tjerë të zhdukur nga ky fshat për t’i varrosur të gjithë bashkë ashtu edhe siç ishin vrarë.

Fetah Morina, të cilit këto ditë i janë kthyer eshtrat e babait të vrarë dhe familjarë të tjerë, thotë për KosovaPress se ata janë njoftuar edhe për gjetjen e 5 trupave të tjerë, përveç atyre 8 sa janë sjellë ditë më parë. Ndërsa, për t’i varrosur thotë se po presin kthimin në Kosovë edhe të 6 trupave të tjerë, të cilët ende mungojnë.

“Me 17 prill i ka vrarë shkau 24. Tash duhet me i lanë prapë kur të tubohen krejt komplet këta 19 të zhdukurit që janë me atë datë që janë varros, që i ka vrarë shkau me atë datë, ne po kemi qejf me i varros na prapë krejt komplet.. Kemi informata sot na kanë ardhur se janë edhe 6 tanët të mahallës sonë Morina. Presim që deri ka 5 shtatori, me u kompletu krejt 19 të zhdukurit të mahallës sonë, besoj që kompletohen dhe tani shohim se si po vendosim”, tha ai.

Ndërsa, thonë se janë zhgënjyer nga institucionet e vendit, të cilët sipas tyre s’kanë bërë pothuajse asgjë për ndriçimin e fatit të pagjeturve.

“S’kanë bërë asgjë hiq, çka është dashur të bëhet për ta, sen s’kanë bërë...Jemi të zhgënjyer shumë bile, jo pak po tepër jemi të zhgënjyer me ta. Edhe prej institucioneve, e sidomos prej komunës sonë“, tha ai.

E për zhgënjimin e familjarëve të personave të zhdukur, sa i përket punës së institucioneve të vendit, flet dhe Haki Kasumi, koordinatori i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjeve të të Zhdukurve të Kosovës, i cili thotë për KosovaPtess se tek familjarët, ekziston bindja se është bërë fare pak dhe se do të mund të bëhej shumë më shumë në mënyrë që të mbyllej kjo faqe e përgjakur e historisë sonë të afërt.

“Institucionet kanë bërë përpjekje por mëqe mungojnë rezultatet dhe ato përpjekje, sipas bindjeve tona profesionale nuk kanë qenë këmbëngulësie dhe nuk kanë qenë të dukura, të ritmit dhe nivelit të duhur. Ngase sigurisht po të bëhej në mënyrë më të vendosur, në mënyrë më profesionale, sigurisht se rezultatet do të ishin më të mëdha. Gjegjësisht do të mbyllej pas 15 viteve, kjo çështje e cila është ndër çështjet dhe plagët e hapura të luftës së fundit në Kosovë. Familjaret e kësaj kategorie, janë qytetarët më të goditur, qytetarët të cilët jetojnë në ankth tash e 15 vite. Vetëm ata dhe njerëz si ata mund ta kuptojnë pozicionin e tyre dhe ne nuk do të ia dëshironim as armikut tonë një gjendje të tillë”, pohoi Kasumi.

Ndërsa, në rrethojat e Kuvendit të Kosovës, ende qëndrojnë fotografitë e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Megjithëse, është premtuar se aty do të ndërtohej një lapidar, një gjë e tillë nuk është bërë ende. E Kasumi në lidhje me këtë thotë se e tërë kjo është një injorim nga ana e institucioneve që po vazhdon të iu bëhet familjarëve të personave të pagjetur.

“Qeveria gjegjësisht komisioni qeveritar e hedh topin te komuna e cila ç’është e vërteta e ka marrë përsipër se do ta ndërtojë lapidarin, është vu gurëthemeli para dy viteve dhe na është premtuar njëherë për 27 prillin, pastaj për 30 gushtin e vitit të kaluar. Tash jemi në 30 gushtin e vitit 2014 dhe ne familjarëve përveç njerëzve, kërkojmë dhe përmbushjen e premtimeve që na i janë dhënë nga qeveritaret tonë, qofshin ata lokal apo qendror.... S’ka ndryshe si të kuptohet mos përmbushja e premtimit, s’ka si të mos kuptohet si injorim. Mos përmbushja e kërkesave të familjarëve, që të punohet më tepër, që ti qaset këtij problemi shumë të dhimbshëm në mënyrë shumë më profesionale dhe me serioze. Por fatkeqësisht kërkesat tona po vazhdojnë të hasin në vesh të shurdhër. Në vesh të pushtetarëve të cilët unë befasohem se si janë në gjendje shumë me premtu e aspak me realizu. Dhe në njëfarë mënyre nuk skuqen fare ata”, theksoi ai.

Ai thotë se duke e parë këtë gjendje dhe mos punën e institucioneve në këtë drejtim, atëherë familjarëve të personave të zhdukur, u mbetet të mbështeten vetëm tek perëndia, pasi që institucionet deri tani nuk kanë bërë pothuajse asgjë.

Ndërsa, Prenk Gjetaj, kryetar iKomisionit qeveritar për persona të pagjetur, thotë se duhet të bëhet trysni në palën serbe, pasi që me gjetjet e fundit në Rudnicë, dëshmohet se ende ka varreza masive ilegale në Serbi dhe se institucionet serbe, kanë njohuri për vend ndodhjen e tyre.

“Të bëhet trysni në palën serbe, sepse sipas informacioneve tona dhe se kjo dëshmohet dhe me gjetjet e fundit në Rudnicë, ende ka varreza masive ilegale në Serbi, me vet faktin se ende kemi 1700 persona që evidentohen si të zhdukur dhe dyshimet dhe mendimet tona janë se institucionet serbe kanë njohuri për vend ndodhjen e varrezave masive”, pohoi ai.

Dita Ndërkombëtare e personave të zhdukur, do të shënohet më 30 Gusht në Drenas. E vendimi për shënimin e kësaj dite atje, është marrë pasiqë nga ky rajon janë gjetjet mortore të fundit në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës. Në shenjë respekti të atyre familjeve dhe ndaj flijimeve që ishin të shumta në Drenicë, kësaj radhe kjo ditë do të shënohet në Drenas.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat