Lëvizja Vetëvendosje reagon mbi ngjarjet tragjike në Dumnicë e Koshtovë

Lajme

Lëvizja Vetëvendosje reagon mbi ngjarjet tragjike në Dumnicë e Koshtovë

Më: 29 gusht 2014 Në ora: 16:35

Ngjarjet tragjike të ndodhura gjatë ditës së sotme në Koshtovë, Mitrovicë dhe ato të 27 gushtit në Dumnicë, Besianë, por të bëra publike dje në opinionin publik, janë padyshim pasojë e moszgjidhjes dhe zvarritjes për një kohë të gjatë të të njëjtit problem.

Teksa në deklarimet publike në vijimësi, përgjatë viteve, Ministri i Punëve të jashtme dhe ai i punëve të brendshme, po ashtu dhe Kryeministri e zëvendëskryeministrat reklamojnë pa kursim “marrëdhëniet fqinjësore”, çështja e demarkacionit të kufirit me Republikën e Serbisë mbetet plotësisht e pazgjidhur dhe e paadresuar.

Gjatë 2011, Lëvizja Vetëvendosje në Kuvend dhe në debatet publike me çdo mjet ka këmbëngulur se para çfarëdo hapi në raport me lëvizjen e lirë midis Kosovës dhe Serbisë apo masat e tjera në raport me kufijtë veriorë të Kosovës, është i domosdoshëm demarkacioni i kufirit me Serbinë.

Në vend të kësaj negociatorët e çështjeve teknike dhe më pas politike në emër të negociatave për interes të qytetarëve përfunduan në marrëveshje të reja të dëmshme, por lanë të pazgjidhur madje të rënduar situatën e banorëve, qytetarë të Kosovës në të gjithë brezin kufitar me Serbinë.

Për gjithë këto vite, qeveritarët e Kosovës nuk kanë mundur që të krijojnë as sigurinë minimale për këto zona, duke i lënë qytetarët tanë në mëshirë të xhandarëve të Serbisë. Ku shpesh banorët janë qëlluar më armë duke mbetur të plagosur e jo rrallë edhe të vrarë, siç ndodhi me dy viktimat më të fundit.

Njëkohësisht, kjo çështje dhe të tjerat që kanë mbetur plotësisht të pazgjidhura dhe të paadresuara, e ka lënë politikisht vulnerabël Kosovën përballë organizmave ndërkombëtarë në raport me akuzat e padrejta të Serbisë për incidente tragjike të cilat i prodhon ajo vetë, ata që bashkëpunojnë me të, apo ata që iu intereson situata e tensionuar në Kosovë.

Sot, si dhe në rastet e shpeshta të ndodhura me po të njëjtin arsyetim, xhandarët serb herë inskenojnë e herë kërcënojnë e herë edhe vrasin banorë të fshatrave që në mospasje të një vije të saktësuar kufitare gjendet përballë rrezikut fatal.

Nga ana tjetër, mbetet vërtetë problem i madh se si Policia e Kosovës nuk gjendet në këto zona, por gati në çdo rast, banorët që qarkullojnë në këto zona hasin me xhandarët serb e jo me Policë të Kosovës.

Duke dhënë ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të japin shpjegime të sakta se çfarë ka ndodhur dhe cilët janë përgjegjësit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat