Kërkohet urgjent formimi i qeverisë, xhandarmëria serbe po vret shqiptarët

Lajme

Kërkohet urgjent formimi i qeverisë, xhandarmëria serbe po vret shqiptarët

Më: 29 gusht 2014 Në ora: 15:51

Familjarët e dy banorëve të komunës së Podujevës që janë zënë nga forcat serbe në vendin e quajtur Matrovë në kufirin me Serbinë ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje se ku ndodhen të afërmit e tyre, nëse ata janë gjallë, po trajtohen për mjekim apo janë të vdekur.

Safet Zeqiri, vëllai i Naim Zeqirit nga Llausha e Podujevës, i cili është në duar të shtetit serb, i plagosur, ka thënë për “Zërin” se nuk kanë asnjë informacion për fatin e familjarit të tyre.

Ai tha se askush nga qeveria e Kosovës nuk është interesuar t’i dal Zot shtetasit të vet. Madje, ai tha se institucionet e Kosovës kanë fyer këtë familje, pasi sipas tij Policia ka qenë dhe ka bastisur këtë familje duke kërkuar armë.

Zeqiri tha se si familje me zor arrijnë të sigurojnë bukën e gojës, e lërë më të posedojnë armë. “Nuk gjetën armë, se nuk kemi”, thotë ai i revoltuar që nga Policia e nga askush nga ky shtet nuk po merr përgjigje për fatin e vëllait të vet.

Ndërkaq, Behxhet Shala nga KMDLNJ ka thënë se në mungesë të qeverisë funksionale Policia e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme si dhe Ministria e Punëve të Jashtme duhet të kontaktojnë me palën serbe dhe me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar që të interesohen për fatin e shtetasve të Kosovës. Ndërkaq, Naim Rashiti analist i Grupit të Ballkanit për Politika ka thënë se vendi është pa udhëheqje.

“Kryeministri jashtë vendit, presidentja në rrugë, dhe Parlamenti jo funksional. Është urgjente të formohet një qeveri”, thotë Rashiti, në mënyrë që qeveria t’iu dal në krah shtetasve të vet. Ai thotë se fakti që nuk pati asnjë reagim institucional pas arrestimit të dy banorëve të Podujevës në kufi më Serbinë, tregon se vendi është pa udhëheqje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat