Presidentja Jahjaga duhet ta zgjidh ngërçin politik

Lajme

Presidentja Jahjaga duhet ta zgjidh ngërçin politik

Nga: M.Lakna Më: 28 gusht 2014 Në ora: 11:24

Anëtari i Këshillit të ekspertëve të LDK-së, Faik Krasniqi në një prononcim për, “Bota sot”, thotë se krizës politike dhe zvarritjes për krijimin e institucioneve të Kosovës, në masë të madhe i ka kontribuar edhe Presidentja Jahjaga, duke e dërguar çështjen për interpretim e në Gjykatën Kushtetuese.

“Presidentja i ka kompetencat e saj dhe në bazë të atyre kompetencave, është dashur t'i thërras dy partitë më të mëdha për t'ju kërkuar firmat e deputetëve, dhe cilado parti do t'i kishte numrat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, atë koalicion ta mandatoj. Ajo me këtë gjë bëri shkelje të Kushtetutës”,vlerëson Krasniqi.

Sipas Krasniqit, presidentja Jahjaga, PDK-ja dhe Gjykata Kushtetuese, janë fajtorët për këtë gjendje në të cilën kemi ardhur.

“ Nëse Presidentja Jahjaga do të vepronte në bazë të kompentencave që i ka, sot veç do t'i kishim institucionet e krijuara. Presidentja edhe tash po rrinë indiferente dhe nuk po merrë asnjë hap për ta zgjidhur këtë lëmsh, të cilën vetë e kanë krijuar. Ajo nuk është në atë post që ta heq barrën nga vetja, por për të zgjidhur probleme”,thotë Krasniqi.

Krasniqi, thekson se tash i takon presidentes ta zgjidh sa më parë këtë ''ngërç'' institucional, ta thërras koalicionin e shumicës, e në këtë rast është koalicioni LDK-AAK-NISMA që ka shumicën, ta mandatoj dhe të krijohet Qeveria.

“Tash ''Topi'' është tek Presidentja dhe besoj që ajo është e vetëdijshme se Kosova s'mund të ngelet pa krijimin e institucioneve të reja, por as të shkojmë prapë në zgjedhje të jashtëzakonshme, për hir të kryeneqësisë së një partie dhe një Gjykate Kushtetuese që është shëndrruar në një ''filial'' juridik të PDK-së”,përfundon Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat