Isa Mustafa: Po organizohemi për ta shpëtuar shtetin nga kapja e tij

Lajme

Isa Mustafa: Po organizohemi për ta shpëtuar shtetin nga kapja e tij

Më: 28 gusht 2014 Në ora: 10:13

Lideri i LDK-së, Isa Musafa sot ka folur rreth situatës së fundit politike në vend. Mustafa ka thënë se do ta respektonin PDK-në si “fituese” të zgjedhjeve nëse do të arrinin të formonin institucionet mirëpo thotë se 70% e të zgjedhurve të popullit nuk e përkrahin andaj ata duhet të hapin rrugë.
Mustafa në statusin e tij në Facebook, ka shtuar se për herë të parë po organizohen për shpëtimin e vendit, nga kapja e tij dhe këtë do ta konfirmojnë në Kuvendin e Republikës së Kosovës me votën dhe vullnetin jodetyrues të deputetëve.
Ja postimi i tij i plotë:
Miq të nderuar,
E gjithë kjo që po ndodhë në spektrin politik të Kosovës është shprehje e demokracisë së brishtë dhe e nevojës për ndërtimin e një demokracie të re.
Nuk kemi iluzione se institucionet, të cilat i kemi ndërtuar deri më tani janë të pavarura dhe se pavarësisht e interpretojnë Kushtetutën dhe ligjin. Por ne të gjithë duhet të bëjmë përpjekje që këto institucione të pavarësohen, sepse kapja e shtetit nuk cenon vetëm zhvillimin demokratik të vendit por ajo arrin deri te cenimi i të drejtave elementare të individit.
Për herë të parë po organizohemi në mënyrë demokratike për të ofruar opsionin e shpëtimit të shtetit nga kapja e tij. Mekanizëm i këtij organizimi është vota e e fituar nga qytetarët dhe veprimi demokratik brenda institucioneve. Në demokraci, çdo votë është e barabartë, pa marrë parasysh se përmes cilit subjekt kanë garuar deputetët.
Askush nuk e mohon se një parti , përkatësisht koalicion, ka dalë e para në zgjedhje. Dhe jam i bindur se gjithë ne do ta përkrahnim që partia që del e para të formojë institucionet, nëse do të arrinte ta bëjë shumicën në Kuvend, si rregull i demokracisë, pa marrë parasysh se a na pëlqen apo jo.
Por rrethanat e krijuara po dëshmojnë se partia që doli e para ka vetëm përkrahjen e 30% të votuesve, ndërsa deputetët që kanë 70% të votave nuk e përkrahin. Kjo flet se rruga jonë është e drejtë. Në demokraci, gjithmonë është e drejtë rruga e atyre që arrijnë të kenë përkrahjen e shumicës. Këtë të drejtë ne do ta konfirmojmë në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës me votën dhe vullnetin jodetyrues të deputetëve, ashtu si ua garanton Kushtetuta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat