Mitrovica në terr

Lajme

Mitrovica në terr

Më: 28 gusht 2014 Në ora: 09:21

Qyteti i Mitrovicës po thuajse gjatë tërë natës së mbrëmshme ka mbetur pa energji elektrike, ndërsa një situatë e tillë po vazhdon të mbretërojë edhe gjatë kohës kur po raportojmë.
Mësohet se kjo po ndodhë për shkak të shpërthimit pak javë më parë në Termocentralin Kosova A të KEK-ut, i cili vazhdon të mos jetë në funksion të rregullt.

Sipas një njoftimi të Korporatës KEDS Energy, si pasojë e kësaj gjendje, ka vështirësi në furnizimin me energji elektrike, jo vetëm në Mitrovicë, por edhe në disa qytete tjera të vendit.

“Është dalë nga puna njësia gjeneruese B2 në termocentralin B të KEK, njëra prej dy njësive të vetme gjeneruese që prodhonin energji elektrike pas aksidentit në termocentralin Kosova A të KEK. Momentalisht, i gjithë furnizimi me energji elektrike varet nga një njësi gjeneruese në termocentralin Kosova A të KEK dhe nga importi i shtuar jashtë mase që KEDS realizon dhe mbulon në mënyrë që furnizimi të jetë i kënaqshëm që nga aksidenti në Kosova A”, thuhet në këtë njoftim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat