PDK pret plasaritjen e LDK-së

Lajme

PDK pret plasaritjen e LDK-së

Më: 28 gusht 2014 Në ora: 08:24

Blerja e kohës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit pritet të jetë një nga tentativat politike të Partisë Demokratike të Kosovës në përpjekje të thyerjes së koalicionit, LDK, AAK dhe Nisma. Burime nga PDK-ja, të cilat pranojnë të flasin në kushte anonimiteti, besojnë se LDK-ja është në plasaritje e sipër dhe se një pjesë e deputetëve, kryesisë dhe degëve të saj nuk janë të kënaqur me koalicionin që Isa Mustafa ka lidhur me AAK-në, duke e sakrifikuar postin e kryeministrit.

Ndërkaq, shpallja e pavlefshme e zgjedhjes së Isa Mustafës në postin e kryekuvendarit, sipas këtyre burimeve, vetëm sa i ka thelluar hendeqet te kjo parti politike. Po ashtu në LDK, sipas këtyre burimeve, janë shtuar dyshime e polemika nëse Isa Mustafa duhet edhe njëherë të dalë në kandidaturë për kryetar Kuvendi pas dështimit të PDK-së, pasi që PDK-ja sërish mund ta sfidojë pozitën e tij në kreun e Kuvendit përmes padisë në Kushtetuese.

Këto burime besojnë fuqishëm se çdo kryetar i Kuvendit gjatë këtij mandati të institucioneve që do të zgjidhet nga një parti tjetër pa nominimin e PDK-së do të detyrohet të largohet si shkelës i kushtetutës. "Askush në LDK nuk do të mund të pranonte i qetë që lideri i saj sërish të lëshonte zyrën si shkelës i Kushtetutës", ka thënë ky burim, duke u thirrur në deklaratat dhe kontaktet që i ka me përfaqësues e miq nga LDK-ja. /Tribuna

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat