Brovina: Nuk e thërras seancën, nëse nuk dakordohen partitë

Lajme

Brovina: Nuk e thërras seancën, nëse nuk dakordohen partitë

Më: 27 gusht 2014 Në ora: 19:50

Flora Brovina, nuk e ka ndërmend të thërras seancë e radhës për të vazhduar me përpjekjet për konstituimin e parlamentit, derisa nuk merren vesh partitë politike.
Kryesuesja e Kuvendit, e cila ndërpreu seancën e 17 korrikut dhe bashkë me deputetët e tjerë të partisë së saj iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores ë Kuvendit nga blloku opozitar LDK-AAK-Nisma, ka thënë se pas aktgjykimit që i dha të drejtë, subjektet politike duhet të aktivizohen dhe të gjejnë zgjidhje për tejkalimin e këtij ngërçi që ka bllokuar vazhdimin e konstituimit të Kuvendit the dhe formimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës.

“Nëse nuk merren vesh nuk ka logjikë të thirret vazhdimi i seancës së Kuvendi, por nëse nuk merren vesh, atëherë kjo na çon drejt zgjedhjeve të reja, dhe për këtë nuk mendoj se ka parti të interesuar, nëse shikojnë interesin e qytetarëve të Kosovës. Është tjetër gjë nëse shikohen interesat e ngushta”, ka thënë Brovina.
Brovina, një intervistë të shkurtër për Radio Dukagjinin, ka thënë se është optimiste se do të dilet nga kjo situatë, por njëkohësisht e dëshpëruar me mosreagimin logjik të bllokut opozitar.

“Jam optimiste se do të gjendet një zgjidhje e pranueshme, dhe duhet të jem optimiste pasi Kushtetuta dhe ajo që ka thënë Gjykata Kushtetuese, tregon se është pikërisht ajo që unë e kam mbrojtur në seancën e parë të konstituimit të Kuvendit, pra kam mbrojtur kushtetutshmërinë e vendit” ka thënë Brovina për Radio Dukagjinin.

“Njëkohësisht jam e dëshpëruar me mosreagimin logjik të faktorit politik të cilët po barrikadohen, pra barrikadohen shqiptarët mes vete. Dhe sigurisht se në këtë rast e kam fjalën për bllokun opozitar. Sepse, është jologjike të favorizohen serbët që dirigjohen nga Serbia për një pushtet që nuk do të jetë as stabil dhe nuk e garanton Kushtetuta dhe në anën tjetër të mos gjejnë mundësi të bisedojnë me një parti fituese të zgjedhjeve, pra të injorojnë të gjitha ato vota, sovranin që e ka votuar Partinë Demokratike”, ka thënë Brovina.

Edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pezullimit të pozitës së kryetarit të Kuvendit dhe më pas anulimit të zgjedhjes së Isa Mustafës kryeparlamentar në seancën e 17 korrikut, blloku opozitar këmbëngulë se nuk do të votojë kandidatin e PDK-së për kryekuvendar, që sipas gjykatës i takon partisë apo koalicionit fitues të zgjedhjeve, që njëherësh ka grupin më të madh parlamentar.

Brovina ka thënë se Partia Demokratike ka dalë fituese e zgjedhjeve të fundit dhe është e gatshme të shkojë edhe në zgjedhje të reja, por kjo ka thënë ajo, nuk është zgjidhja që i duhet shtetit të Kosovës.

“Sepse, edhe pas këtyre zgjedhjeve të mundshme, prapë duhet të ketë një dialog, pra një dialog ndër-shqiptarë për të qeverisur vendin dhe themeluar institucionet e shtetit të Kosovës”, ka thënë Brovina.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat