Muhamet Mustafa: Vendin e pret kriza

Lajme

Muhamet Mustafa: Vendin e pret kriza

Më: 23 gusht 2014 Në ora: 11:00

Nëse Kushtetuesja ka vendosur t’ia japë mundësinë PDK’së, si parti e parë, të tentojë zgjedhjen e Krye parlamentarit, në rast të dështimit kjo e drejtë duhet t’i jipet Bllokut. Ndryshe, vendi futet në krizë, parashikon deputeti i LDK'së, Muhamet Mustafa.

Në një postim të tijin në Facebook, ai ka thënë se koalicioni LDK-AAK-Nisma duhet të ketë mundësinë që në Kuvend të demonstrojë shumicën e votave që i ka, nëse PDK nuk mund ta bëjë këtë e para. Përndryshe, vendi do të futej në krizë serioze.

“Mund të provohet forca e listës fituese të PDK-së të arrijë shumicën në Kuvend, siç del nga ajo që dimë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Por, nëse i mbyllet mundësia koalicionit tjetër në Kuvend të demonstrojë shumicën për të zgjedhur organet e Kuvendit dhe qeverinë, kjo jo vetëm do të lëndonte parimet fundamentale të demokracisë por edhe do të prodhonte një krizë serioze”, ka shkruar Mustafa.

Sipas tij, kjo krizë është manifestim i mosrespektimit të shtetit ligjor dhe instalimit të elementeve të kapjes së shtetit.

Deputeti i LDK’së ka prezantuar edhe statistika elektorale për të mbrojtur të drejtën e koalicionit që përfaqëson, për të formuar institucionet.

Në zgjedhje, sipas Mustafës, për partitë opozitare, respektivisht koalicionin LDK-AAK-Nisma dhe VV kanë votuar gjithsej 391,465 votues ose afro 54 % e elektoratit, ndërkaq për dy partitë qeveritare PDK dhe PD si dhe aleatët e saj të vegjël, që garuan me një listë, kanë votuar 222,181 votues ose 30,38 %. Vetëm Koalicioni LDK-AAK-Nisma pa VV’në kishte fituar 293,067 deputetë ose rreth 40 % të elektoratit që ka dalë në zgjedhje.

Këto shifra, sipas Mustafës mjaftojnë për të treguar se ku është shumica dhe kush do të duhej t’i formonte institucionet.

“Këto të dhëna shprehin në mënyrë autentike vullnetin e elektoratit – sovranit dhe nëse me teknika dhe interpretime të kujtdo qoftë, duke përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese pengohet që ky vullnet të shprehet në zgjedhjen e organeve të Kuvendit dhe Qeverisë , atëherë kjo ka pak të bëj me demokracinë dhe frymën e Kushtetutës”, ka shkruar Mustafa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat