Ernest Luma: Gjykata s'ka faj për vendimin, por është fajtore që i humbi tre muaj vendit

Lajme

Ernest Luma: Gjykata s'ka faj për vendimin, por është fajtore që i humbi tre muaj vendit

Më: 22 gusht 2014 Në ora: 18:09

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ernest Luma, si duket e ka pritur një vendim të këtillë nga Gjykata Kushtetuese, për të cilën thotë se nuk ka aspak faj që e mori këtë vendim. Mirëpo, ai thekson se gjykata është fajtore sepse ia humbi tre muaj vendit.

"Konfiguracioni politik i vendit dhe figurat janë të vendosura, hë për hë, kështu. Ky është shahu politik i Kosovës. Gjykata s'ka faj për vendimin, por ka faj për kohën e gjatë që po ia merr vendit," shkruan Luma.

Në anën tjetër, ai përkujton se institucionet nuk i ndërton gjykata, por vota dhe shumica në parlamentin e Kosovës.

"Përndryshe, institucionet nuk i ndërton Gjykata, por vota dhe shumica në Parlamentin e Kosovës. Shumica ekziston. Me më shumë se dy të tretat në Kuvendin e Republikës së Kosovës," ka shkruar Luma.

Në fund ai i fton të gjithë për relaks, duke thënë se e rëndësishme është se situata është zhbllokuar dhe i është hapur rrugë formimit të institucioneve.

"Pra, relaks. E rëndësishme është se situata u zhbllokua. Tash mbahet seanca e ardhshme parlamentare. Zgjidhet udhëheqja e Kuvendit e, pas saj, menjëherë Qeveria e Republikës së Kosovës," ka shkruar në Facebook, Luma.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat