Ekskluzive: PDK propozon e para kandidatin për kryeparlamentar, pastaj koalicioni LDK- AAK- Nisma

Lajme

Ekskluzive: PDK propozon e para kandidatin për kryeparlamentar, pastaj koalicioni LDK- AAK- Nisma

Më: 22 gusht 2014 Në ora: 15:35

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që së pari PDK ta propozoj kandidatin për kryeparlamentar, e nëse nuk arrin ta zgjedh, atëherë e drejta i kalon koalicionit LDK- AAK- Nisma. Kështu kanë bërë të ditur burime të Gazetës Blic brenda Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Sipas këtyre burimeve , pasi që Gjykata Kushtetuese nuk e ka njohur Grupin Parlamentar LDK- AAK- Nisma si më të madhin, por PDK-në, e ka paraparë që sikurse në rastin e mandatarit për formimin e qeverisë, së pari partia e cila ka dalë e para në zgjedhje ta ketë të drejtën ta propozoj kandidatin për kryeparlamentar, e pastaj nëse kandidati i partisë së parë si merr votat, atëherë partia e dytë do ta propozoj kandidatin e vetë.
“Pra, njëherë i jepet PDK-së e drejta që ta propozoj kandidatin e saj për kryeparlamentar, e nëse kjo nuk arrin ta zgjedh atë, atëherë partia e dytë, pra LDK do ta ketë të drejtën që ta propozoj kandidatin për kryeparlamentar”, ka thënë ky burim.
Ndërkohë, gjatë ditës përmes një njoftimi të lëshuar për medie Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka njoftuar me vendimin që ajo e ka marrë. Sipas këtioj vendimi, Gjykata Kushtetuese e shpallë të pavlefshëm zgjedhjen e Isa Mustafës në krye të Kuvendit të Kosovës, për faktin se Grupi Parlamentar LDK- AAK- Nisma nuk njihet si grupi më i madh parlamentar.
Të enjten, më 21 gusht 2014, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës mbajti këshillime dhe votoi në rastin KO119/14, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 05-V-001, të votuar nga 83 deputetë të Kuvendit, më 17 korrik 2014.

Vendimi i GJK në lidhje me ankesën e PDK

Kërkesa u parashtrua në Gjykatë, më 18 korrik 2014, nga Xhavit Haliti dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese vendosi si në vijim:

I. njëzëri, të DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
II. me shumicë votash, TË KONSTATOJË që:
a. mbledhja dhe procedura e ndjekur pas pezullimit të seancës konstitutive, më 17 korrik 2014, nga Kryesuesja, për shkak të mungesës së kuorumit, kanë shkelur nenin 67 (2) në lidhje me nenin 64 (1) të Kushtetutës dhe Kreun III të Rregullores së punës që zbaton këto nene;
b. Vendimi Nr. 05-V-001, i 17 korrikut 2014, është jokushtetues, si për nga procedura e ndjekur, ashtu edhe për nga përmbajtja, pasi nuk ishte grupi më i madh parlamentar ai që propozoi Kryetarin e Kuvendit dhe, rrjedhimisht, është i pavlefshëm;
c. Seanca konstituive e Kuvendit, që ka filluar më 17 korrik 2014, nuk është realizuar plotësisht, konkretisht nuk janë zgjedhur Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Rrjedhimisht, Kuvendi duhet ta përfundojë seancën konstitutive duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët në pajtim me nenin 67 (2) në lidhje me nenin 64 (1) të Kushtetutës dhe me Kreun III të Rregullores së punës që zbaton këto nene dhe në pajtim me këtë Aktgjykim.

Teksti i plotë i Aktgjykimit do t’u dorëzohet palëve, do të postohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare në kohën e duhur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat