Analizë e “Bota sot”, tri opsionet për krijimin e institucioneve!

Lajme

Analizë e “Bota sot”, tri opsionet për krijimin e institucioneve!

Nga: Bota sot Më: 22 gusht 2014 Në ora: 13:51

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë një kahje, por jo të papritur rrjedhave politike në Kosovë me vendimin e saj pro PDK-së, por i cili ashtu siç e quajtëm ne pak ditë më parë, vendimi do të jetë përcaktues për Kosovën, pasi do të përcaktojë përtej pritshmërive, rrjedhën që duhet të marrin ngjarjet politike.

Gjykata Kushtetuese, sipas njoftimit të pjesshëm të vendimit të saj, ka vendosur në favor të PDK-së, përkatësisht të argumenteve të ofruara nga ajo, duke hedhur poshtë mbrojtjen juridike të koalicionit LDK-AAK-NISMA, si dhe të Vetëvendosjes si kundërshtare, në rast, dhe politike e PDK-së.

Në analizat tona, që nga momenti që PDK-ja kishte paralajmëruar dhe më pas vendosur që çështjen ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese, kemi theksuar, se vendimi i parë i Gjykatës Kushtetuese i këtij viti për krijimin e institucioneve të Kosovës, mbështetë idenë praktike, në rastin më të keq për koalicionin, se qeveria mund të krijohet nga koalicioni LDK-AAK-NISMA, duke pranuar që posti i kryetarit të Kuvendit të shkojë në favor të PDK-së, tash edhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe që koalicioni LDK-AAK-NISMA të mos heq dorë nga mundësia e krijimit të qeverisë, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatarin, i cili i jep të drejtën Koalicionit, që të krijojë qeverinë, në rast të dështimit të krijimit të saj prej PDK-së dhe koalicionit të saj, që aktualisht ka vetëm 37 deputetë.

Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar qartë se Grupi më i madh parlamentar është ai i PDK-së, dhe se ky vendim duhet të zbatohet, ndërsa zgjedhja e Isa Mustafës kryetar Kuvendi, ishte e paligjshme.

Në këtë rast, vendi ndodhet para tri alternativave për krijimin dhe funksionalizimin e institucioneve.

E para është ajo që e parashtruam më lartë, në kontekst të vijimësisë apo konsekuencës që e ka treguar deri më sot koalicioni LDK-AAK-NISMA, i mbështetur deri diku edhe nga Vetëvendosje, si kategorike, që të mos ketë Thaçi 3.

E dyta janë zgjedhjet, që ky grupim duke mos hequr dorë nga bllokimi ndaj PDK-së, që të mos lejojë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, dhe kjo të çojë në shpërndarjen e tij të serishme, nga Presidentja ose me marrëveshje të partive parlamentare;

Dhe e treta, që njëra nga palët e koalicionit LDK-AAK-NISMA, ose madje dy prej tyre të thyhen, dhe që qeverinë ta krijojë PDK-ja, sipas një marrëveshje me partnerët e rinj.
Por, në marrëveshjen e re, ka pak gjasa që Ramush Haradinaj të mbetet i nominuar për kryeministër!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat