EULEX, i (pa)dëshiruar në veri

Lajme

EULEX, i (pa)dëshiruar në veri

Më: 20 gusht 2014 Në ora: 15:59

Në veriun e Mitrovicës po vazhdon shpërfaqja e pakënaqësive ndaj misionit evropian për sundim të ligjit, EULEX.

Kjo pakënaqësi, daton që nga ardhja e këtij misioni në Kosovë, por së fundmi përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës, pas arrestimeve të individëve të caktuar me akuza për krime lufte, në disa raste patën paralajmëruar ndërprerjen e bashkëpunimit me EULEX-in.

Të martën, gjatë natës, në disa pjesë të Mitrovicës veriore janë vendosur mesazhe, kryesisht në shenja komunikacioni, që kërkojnë largimin e EULEX-it nga Kosova, duke e konsideruar këtë mision si “armik i popullit serb”.

Afër logos së misionit EULEX, është parë të figurojë edhe kryqi i thyer, simbol i nazizmit.

Ksenija Bozhoviq, kryetare e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës Veriore, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se nuk e justifikon një sjellje të tillë në veri dhe, sipas saj, tash më së paku nevojitet „që të ngriten tensionet në këtë situatë të rëndë“.

“Unë si kryetare e Kuvendit, nuk e di se kush qëndron para kësaj. Edhe unë, si gjithë qytetarët tjerë jam tronditur me faktin që qyteti ka qenë me pllakate të tilla. Në asnjë rast, unë fare nuk e arsyetoj një gjë të tillë. Ne jemi për çfarëdo bashkëpunimi qëllimmirë dhe për këtë jemi të hapur”.

“Vetëm se bëj thirrje tek EULEX-i që të mos përdor veprime në dy binarë, por, sa u përket lirive, të drejtave dhe lëvizjes, kjo duhet të jetë e njëjtë edhe për bashkësinë serbe edhe për atë shqiptare”, thotë Bozhoviq, e cila i takon Iniciativës qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia”, të Oliver Ivanoviqit. Ajo shton se bashkëpunimi me EULEX-in ekziston, sidomos pas arrestimit të liderit të kësaj iniciative, Oliver Ivanoviq.

“Ne, në vazhdimësi, kemi bashkëpunuar me EULEX-in dhe kemi apeluar për parregullsitë në disa pjesë të punës së tyre. Përndryshe, ne marrim pjesë në çdo mbledhje të EULEX-it, për të cilat jemi informuar me kohë dhe kemi marrë pjesë me kohë“, thekson Bozhoviq.

Në anën tjetër, njëri prej liderëve të serbëve në veri të Kosovës, Marko Jakshiq, funksionar i Partisë Demokratike të Serbisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se blloku kundërshtues i integrimit të serbëve në institucionet e Kosovës, të cilit i takon ai, qëmoti ka kundërshtuar praninë e EULEX-it në veri të Kosovës.

Sipas tij, EULEX-i në veri është i padëshiruar për shkak se në punën e tij nuk e ka ruajtur paanësinë, por ka marrë anën e shqiptarëve.

“Kjo që sot kemi rastin të shohim, është se EULEX-i dhe sjelljet e tij janë të bazuara në atë që faktikisht ta konstituojnë, ta udhëzojnë apo në terren ta bëjnë edhe një shtet shqiptar në Ballkan. Në këtë kuptim, përpjekjet e tij janë të përzemërta”.

“Në anën tjetër, ajo që po bën gjithashtu, është vetëm marrja me arrestime të serbëve, me persekutimin e tyre dhe e gjithë kjo vetëm me qëllimin që një pjesë e përfaqësuesve të serbëve të largohen dhe të hiqen nga këto hapësira, ndërkaq, populli që do të mbetet këtu nuk do të ketë liderët dhe përfaqësuesit e vet”, konsideron Jakshiq.

Ai, gjithashtu, shton se serbët në veri, sipas tij, nuk e dëshirojnë EULEX-in për shkak se nuk duan t’iu nënshtrohen ligjeve të Kosovës, të cilat, siç thotë ai, i aplikon ky mision, por vetëm ligjeve të Serbisë.

Në këtë frymë, sipas tij, duhet aplikuar Rezoluta 1244 e këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila, sipas tij, Kosovën e sheh si pjesë të Serbisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat