Policia mbetet institucioni më i besuar i qytetarëve

Lajme

Policia mbetet institucioni më i besuar i qytetarëve

Më: 31 korrik 2014 Në ora: 16:03

Organizatat Joqeveritare të Ferizajt kanë publikuar të enjten një hulumtim të opinionit publik mbi punën, funksionimin dhe besimin për Policinë e Kosovës në Ferizaj.Rezultatet e këtij hulumtimi kanë përfshirë vetëm komunën e Ferizajt dhe në të kanë qenë të përfshirë 200 respodentë që i janë nënshtruar procedurës së anketimit, ndërsa sipas organizatorit margjina e gabimeve është sjellë deri në 8 %.

Gjatë analizës që i ka bërë hulumtimit, koordinatori i OJQ-së Iniciativa për progres(INPO), Samir Reka, ka thënë se nga rezultatet ka dal që shqetësimi më i madh i qytetarëve mbetet siguria në komunikacion dhe rreziku nga automjetet.Ai ka përmend edhe çështjen mosinteresimit dhe mosinformimit të qytetarëve për aktivitetet e policisë, duke vënë theksin në atë se kërkesa kryesore e qytetarëve për ndjesinë e sigurisë në qytet dhe lagjen në të cilën jetojnë, mbetet vendosja e pikave të kontrollit dhe patrullimi më i shpeshtë nëpër rrugë.

"Nga hulumtimi ka rezultuar se policia është ndër institucionet më të besuara për qytetarët e Ferizajt, ku rreth 40 për qind të anketuarve e renditin policinë si institucionin më të besuar. Kurse vlerësimet e tyre për sjelljet e policëve me qytetarë nuk kanë qenë edhe aq të kënaqshme, ndërsa mbi 40 për qind të qytetarëve janë shprehur se janë të kënaqur deri diku me sjelljen e policëve", ka thënë Reka.

Për më tepër, nga të dhënat ka dalë se qytetarët janë takuar me policin e lagjes dhe se policia i është përgjigjur me kohë thirrjes së tyre në rast të ndonjë problemi a aksidenti.

Në fund, koordinatori i INPO-s, Samir Reka, bazuar në rezultatet e hulumtimit ka përmendur edhe rekomandimet, ndër të cilat ka spikatur ngritjen e nivelit të njoftimeve për punën e policit në komunitet si dhe njoftimet për kontaktet me policinë, reklamimi i numrit të telefonit, duke ua bërë me dije qytetarëve se thirrja është pa pagesë, policia të bëj njoftimet se për çfarë kohe do të mbërrijë në secilën lagje dhe fshat në rast se kërkohet, të përfshijë në planin e saj kujdesin ndaj zhurmës dhe ndotjes së ambientit, të vazhdojë në ngritjen dhe vlerësimin e sjelljeve të policëve me qytetarë, të rris patrullimet në këmbë dhe me vetura, te jetë prezente në afërsi të shkollave, të ngris transparencën e punës dhe të përpilojë planin për vendosjen e kamerave në qytet.

Në anën tjetër drejtori i Drejtorisë Rajonale të PK-së, nënkolonel Gazmend Hoxha ka thënë se policia mirëpret rekomandimet e këtij hulumtimi, të cilat sipas tij edhe janë objektiv i policisë.Ai ka vënë në dukje se policia është e gatshme që të jap përgjigje me kohë për gjitha adresimet e qytetarëve.

Ndryshe, u bë e ditur se ky lloj i hulumtimit është i pari i këtij lloji në Kosovë dhe se është bërë me kërkesën e PK-së, ndërsa me këtë rast policia ka ndarë mirënjohje për OJQ-të të cilat kanë qenë të përfshira në këtë hulumtim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat