Komuna e Prishtinës fillon diskutimet për çerdhet me bazë në komunitet

Lajme

Komuna e Prishtinës fillon diskutimet për çerdhet me bazë në komunitet

Më: 30 korrik 2014 Në ora: 12:41

Komuna e Prishtinës ka mbajtur takimin e parë public të martën me banorët e lagjes Mati për funksionalizimin e çerdhes me bazë në komunitet.
Drejtuesja e Kabinetit, Fitore Pacolli, së bashku me Fatos Osmanin, zyrtar i lartë i Arsimit në Drejtorinë komunale të arsimit kanë prezantuar para banorëve modelin e ri të çerdhes me bazë në komunitet që do të hapet në shtator të këtij viti.
“Model i çerdhes me bazë në komunitet, i cili do të fillojë si pilot projekt gjatë shtatorit në lagjen "Mati" ku dhe ka filluar rinovimi i objektit, është dizajnuar në përputhje me Ligjin "Mbi Edukimin Parashkollor Nr. 02/L-52" dhe Udhëzimin Administrativ Nr. 42/2007”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Gjatë diskutimit me banorët u vendos që të hartohet një listë me emrat e prindërve të lagjes të cilët kanë nevojë për çerdhe. Lista pritet të hartohet gjatë javës.
Gjithashtu, takimi i radhës është caktuar të mbahet të martën, më 5 gusht, në ora 18:00 në shkollën fillore “Mitrush Kuteli”.
“Modeli i çerdheve me bazë në komunitet u prezantua publikisht nga kryetari Shpend Ahmeti më 11 korrik dhe synon që të krijojë institucione parashkollore të cilat do të menaxhohen nga Komuniteti.
Këshilli i Komunitetit, i cili zgjidhet nga vetë banorët e lagjes, do te përbëhet prej 7 anëtarësh dhe do të jetë nën mbikëqyrjen e Komunës së Prishtinës përmes konkursit publik, në përputhje me procedurat ligjore për rekrutim dhe kriteret ligjore të përcaktuara nga MASHT-i, do të sigurojë edukatoret dhe personelin tjetër të nevojshëm”, thuhet në njoftim.
Përgjegjësitë e Këshillit do të lidhen me mirëmbajtjen e objektit, higjienës, sigurimin e ushqimit, pagesën e personelit, krijimin dhe menaxhimin e fondeve në bazë të rregulloreve që do të harton nga vetë Këshilli.
“Ky model mundëson që cilësia dhe kujdesi ndaj fëmijëve të jetë shumë më i mirë si dhe do ta lirojë Komunën e Prishtinës nga barra e menaxhimit dhe investimit të vazhdueshëm në mirëmbajtje dhe shpenzime në mjetet e nevojshme për punë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës. A.M

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat