Komuna: Tenderi i kiosqeve do të rishpallet

Lajme

Komuna: Tenderi i kiosqeve do të rishpallet

Më: 26 korrik 2014 Në ora: 10:35

Dy vite pritje për rivendosjen e kioskave në Sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë. Si pasojë e kësaj gjashtë persona kanë mbetur pa punë. Këta të fundit thonë se kanë fituar tenderin nga Komuna e Prishtinës, por kioskat asnjëherë nuk u kthyen nëpër vendet e tyre. Ndërsa zyrtarë nga Komuna e Prishtinës bëjnë të ditur se tenderi i kiosqeve do të rishpallet.

Largimi i kioskave nga Sheshi “Nënë Tereza” në Prishtinë është bërë në Mars të vitit 2012. Njëri nga pronarët, i cili ka punuar në kioskët e Rilindjes, Sabri Dushullovci thotë se janë bërë dy vite që janë larguar nga kioskat. Sipas tij, megjithë faktin që ai dy herë radhazi ka fituar tenderin sërish kioska nuk është kthyer në vendin e mëhershëm.

”Të drejtën e kisokës na e kanë marrë në 2011-tën por nga kioska na kanë larguar në 2012-tën. Kemi qenë shumë herë në Komunë, nuk na kenë dhënë përgjigje deri pas një viti na e kanë lëshuar një dokument që prapë do t’i kthejnë kioskat por nuk i kanë kthy”, theksoi ai për Radio Kosovën.

Edhe Behlul Rexhepi, i cili që nga viti 1981, ka poseduar kioskë tha se kjo e drejtë i është marrë si arsyetim i punimeve në sheshin “Nëna Tereze, duke iu premtuar që ato do të kthehen pas përfundimit të këtyre punimeve. Mirëpo një gjë e till nuk ka ndodhur ende thotë Rexhepi .

”Se me policë na kanë larguar, kemi pasë me fillu punën qe një vit e pesë muaj. Kurrë far përgjigje më nuk na kanë dhënë. As që do të vendosen e as që nuk kanë me u vendosë. As që kemi të drejtë nëse vendosen dhe as që nuk kemi të drejtë, me fillu punën”, tha ai.

Ndërsa, zyrtarë nga Komuna e Prishtinës thanë për Radio Kosovën se tenderi i kioskave në Sheshin “Nënë Tereza” është anuluar. Zëdhënësja e Komunës, Fitore Pacolli theksoi se do të shpallet tender i ri. Ajo shtoi se kioskat do të kenë dizajn tjetër dhe Urbanizmi do të përcakton se ku do të vendosen ato. Pacolli tregon procedurat nëpër të cilat do të kalojë i gjithë problemi i kiosqeve.

”Urbanizmi vendosë se ku do të vendosen kioskat, vie si propozim në Kuvend. Kuvendi nëse e miraton propozimin e Urbanizmit atëherë krijohet një komision nga Kuvendi komunal dhe komisioni vendosë se kujt t’i jepen kiosqet”, theksoi ajo.

Disa nga kiosqet do të jepen për raste sociale, ndërsa personave që i’u është marrë e drejta e tyre do të kenë mundësinë të aplikojnë sërish pas rishpalljes së tenderit të ri. Kur do të ndodhë kjo nuk është bërë e ditur nga zyrtarët e Komunës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat