Deri javën e ardhshme shqyrtohen ankesat

Lajme

Deri javën e ardhshme shqyrtohen ankesat

Më: 26 korrik 2014 Në ora: 09:28

​Javën e ardhshme do të përfundojë shqyrtimi i ankesave të kandidatëve të cilët nuk janë pranuar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ardian Gola, këshilltar i ushtruesit të detyrës së rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Anton Berishaj, ka thënë për “Epokën e re” se pas shqyrtimit të ankesave do të dihet saktësisht numri i vendeve të lira. “Ende nuk mund të dihet me saktësi numri i vendeve të lira pa përfunduar procesi i ankimimit dhe shqyrtimi i ankesave të të gjitha kandidatëve. Kjo pritet të ndodhë javën e ardhshme”, ka thënë Gola.

Ai ka bërë me dije se rezultatet janë publikuar në të gjitha njësitë akademike të UP-së konform dinamikës së paraparë të konkursit. Sipas Golës, procesi i ankimimit zgjat 48 orë pas shpalljes së rezultateve. “Kontrollimi i testeve ka shkuar shumë mirë, ndërsa në fakultetet të cilat ka pasur ndjeshmëri më të madhe, për shembull në Fakultetin e Mjekësisë, i tërë procesi është realizuar nën vëzhgimin e kamerave”, ka thënë ai.

Gola e ka vlerësuar maksimalisht ecurinë e deritashme të procesit të provimit pranues nëpër të gjitha fakultetet e UP-së. “Menaxhmenti i UP-së përgëzon për përkushtimin e treguar të gjithë dekanët e njësive akademike. Njëkohësisht falënderon të gjithë kandidatët që kanë shprehur interesimin të aplikojnë në Universitetin e Prishtinës”, ka theksuar Gola.

Për 10 054 vende të lira të studimit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë aplikuar mbi 21 mijë kandidatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat