Përmbyllet suksesshëm aksioni “Blej dhe dhuro”

Lajme

Përmbyllet suksesshëm aksioni “Blej dhe dhuro”

Më: 26 korrik 2014 Në ora: 09:27

Aksioni “Blej dhe dhuro” i nisur në fillim të muajit të shenjtë të Ramazanit, me iniciativë të Shoqatës Humanitare Bamirëse së Kosovës, Nëna Terezë, dhe me mbështetje të qendrës tregtare Viva Fresh Store në Kosovë, është duke përfunduar me sukses. Ky aksion mblodhi produkte ushqimore dhe higjienike për familjet nevojtare, nga kontributi i qytetarëve zemërgjerë të cilët ndanë artikuj nga blerja e tyre për t’i lënë tek këndi i Bamirësisë i Shoqatës Nëna Terezë të vendosura në pikat e Viva Fresh Store në tërë Kosovën
. Poashtu, mbështetësi i këtij aktiviteti, Viva Fresh Store, ka dhuruar 200 pako të përbëra me artikuj bazë ushqimor dhe higjienik, kështu duke rritur numrin e familjeve të ndihmuara në kuadër të këtij aktiviteti. Përmes kësaj iniciative, e cila përfundon në ditën e fundit të muajit të Ramazanit, deri më tani janë ndihmuar mbi 400 familje anembanë Kosovës, që jetojnë në kushte të rënda sociale dhe ekonomike.

Drejtori i Shoqatës Nëna Terezë, Zef Shala, ka shpjeguar se mbështetja e familjeve nevojtare ka qenë e vazhdueshme përgjatë aktivitetit, pasi që me tu mbushur stendat në pikat e Viva Fresh Store, Stafi dhe vullnetarët e Shoqatës Nëna Terezë kanë filluar menjëherë me formimin e pakove me artikuj, duke vazhduar me shpërndarjen e tyre “Të gjitha familjet e ndihmuara janë shprehur mirënjohëse për ndihmën që iu është dhënë, duke u falenderuar për faktin që Shoqata Nëna Terezë, përmes donacioneve të të gjithëve, i mbështet çdo herë kur ata kanë më së shumti nevojë. Një falenderim i veçantë shkon për partnerin kyç të aksionit, Viva Fresh Store, për mbështetjen që na ka dhënë, dhe vlerësojmë lartë donacionin e tyre prej 200 pakosh dedikuar familjeve të varfëra anembanë Kosovës. Vlen të theksohet se kjo iniciative është fuqizuar edhe nga një donacion prej 1500 eurosh, shumë e kthyer në artikuj ushqimor, dhënë nga një grup qytetarësh zemërgjerë. Ky donacion, si dhe donacioni nga kompania Viva Fresh Store, kanë qenë shtytje shumë të mëdha, pasi që numri i familjeve përfituese në kuadër të iniciativës sonë është rritur.”

Erton Bega, drejtor në qendrën tregtare Viva Fresh Store, është shprehur se kontributi në këtë iniciativë reflekton gatishmërinë e kompanisë për të mbështetur aktivitete të tilla. “Viva Fresh Store vlerëson nisma të tilla, duke marrë parasysh që kontributi në komunitet si tërësi, është një shtyllë e rëndësishme e kompanisë sonë. Duke iu bashkuar shpalosjes së vlerave të rëndësishme të bamirësisë dhe kontribuimit në komunitet, me rastin e festës së Fitër Bajramit, Viva Fresh Store ka dhuruar edhe një kontribut nga secila faturë e shitjes - buxhet i cili ka mundësuar formimin e 200 pakove me artikujt bazë për familjet nevojtare të Kosovës. Përmes kësaj iniciative,Viva Fresh Store ka krijuar marrëdhënie të mira me Shoqatën Nëna Terezë, andaj, kontributi i kompanisë sonë në komunitet nuk do të ndalet me kaq.”

Përmes kësaj iniciative, Shoqata Nëna Terezë ka bashkuar forcat me Viva Fresh Store dhe qytetarët e Kosovës, duke zhvendur fokusin e publikut mbi familjet e varfëra, të cilët janë në nevojë për mbështetje të vazhdueshme. Shoqata Nëna Terezë, së bashku me Viva Fesh Store, duke iu uruar të gjithëve Festën e Fitër Bajramit, falenderojnë të gjithë ata qytetarë të cilët kanë zgjatur dorën për të ndihmuar familjet e varfëra, dhe njëkohësisht duke bërë që ky aksion humanitar të arrijë sukses maksimal. Dhe një herë është dëshmuar se fryma e mirësisë dhe solidaritetit nuk kursehet nga qytetarët e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat