Qytetarët sanojnë gjendjen pas të reshurave të djeshme

Lajme

Qytetarët sanojnë gjendjen pas të reshurave të djeshme

Më: 24 korrik 2014 Në ora: 14:22

Komuna e Prishtinës ende nuk ka dal me një raport përfundimtar rreth dëmeve të shkaktuara gjatë vërshimeve të djeshme. Zyrtarë të komunës paralajmërojnë se do të shikojnë mundësinë për kompensimin e dëmeve ndaj qytetarëve. Ndërkohë qytetarët e prekur nga këto vërshime, thonë se shirat e fundit, i kanë dëmtuar tej mase.

Bllokim i pusetave, dalja në shesh e ujërave të zeza, rrëzimi i drunjve, dëmtime materiale në shtëpi, restorante e institucione, janë vetëm disa nga dëmet që kanë shkaktuar vërshimet e djeshme në kryeqytet. Një ditë më pas, banorët sot po mundohen që të rregullojnë shtëpitë e tyre të cilat u dëmtuan nga shiu i furishëm që përfshiu Prishtinën për gjysmë ore.
Nga ana tjetër, Qendra e thirrjeve në komunën e Prishtinës deri më tani ka pranuar më shumë se 100 thirrje nga qytetarët dhe institucionet e ndryshme. Zëdhënësja e komunës, Fitore Pacolli thotë se ekipet komunale janë në teren duke sanuar gjendjen në lagje të ndryshme.
Ajo paralajmëron gatishmërinë e komunës për t’i kompensuar dëmet.
E për kompaninë e Ujësjellësit Rajonal Prishtina, shiu i djeshëm ka qenë i mirëseardhur për nivelin e ujit në të dy liqenet akumuluese, ku edhe kanë shënuar ngritje të nivelit. Por, kanë paraqitur edhe anën tyre negative. Në një pronocim për transmetuesin publik, zëdhënësja Arjeta Mjeku thekson se shiu ka ndërprerë punimet që është duke i bërë kjo kompani.
Për këtë ka reaguar edhe organizata që monitoron komunën e Prishtinës. Në komunikatën e tyre theksohet se këto vërshime janë shkaktuar si pasojë e infrastrukturës së dobët rrugore dhe mungesës së mirëmbajtjes së tyre. INPO ka kërkuar nga komuna e Prishtinës që menjëherë të dezinfektojë rrugët dhe të gjithë vendet që janë vërshuar nga ujërat e zeza, duke vlerësuar se komuna është përballur më këto situata edhe më herët, por nuk janë treguar të vëmendshëm për të zgjedhur këtë situatë të cilën e vuajnë qytetarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat