KDI: 17 % e anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Prizrenit pasiv ne seanca

Lajme

KDI: 17 % e anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Prizrenit pasiv ne seanca

Më: 24 korrik 2014 Në ora: 14:06

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar “Fletënotimin” i cili përmban analizë dhe notim për punën individuale të 41 anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Prizrenit dhe subjekteve politike të përfaqësuara në këtë kuvend për periudhën Janar-Qershor 2014.

Zyrtari nga KDI, Haxhi Seferqaj ka thënë së qëllimi i publikimit të këtij Fletënotimi është informimi i paanshëm dhe objektiv i qytetarëve për punën e të zgjedhurve të tyre gjatë mbajtjes së seancave të Kuvendit të Komunës së Prizrenit në periudhën Janar-Qershor 2014, notim ky i bazuar në nëntë shtylla të vlerësimit.

“Anëtarët që kanë treguar rezultate më të mira në të gjitha kategoritë në Kuvendin e Komunës së Prizrenit janë: Arbër Rexhaj (LVV) me 7.8 %, Mybera Mustafa (LDK) me 6.7 %, Haziz Hodaj (LDK) me 6.3 % dhe Osman Hajdari (BD) me 6.1 % derisa Kastriot Krasniqi (PDK), Sehare Maliqi (PDK) %, Nexhat Bytyqi (LDK) , Ganimete Hoxha (BD), Lirije Bytyqi (BD), Munir Basha (PK) dhe Azzam Dida (PD) gjatë kësaj periudhe nuk kanë treguar asnjë rezultat dhe janë vlerësuar me 0.0 % të notimit të përgjithshëm”, ka thënë Seferqaj.
Më tej ka thënë se në seancat e mbajtura në Kuvendin e Komunës së Prizrenit në periudhën Janar-Qershor 2014 anëtarët e këtij institucioni kanë propozuar vetëm një pikë për rend dite. “Këtë pikë për rend dite pranë këtij institucioni ka propozuar Cemil Luma (KTAP) i cila ka propozuar që në rend ditë të jetë pika e rendit të ditës për “formimin e grupit të ekspertëve për hartimin e projekteve për zhvillim ekonomik”, ka thënë ai.

Për të gjeturat e tjera foli zyrtari tjetër i KDI-ës, Naim Cahanaj, i cili ka thënë se gjatë seancave të mbajtura në këtë periudhë, nga anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit janë ngritur gjithsej 234 çështje, prej të cilave 48 % nga fusha me interes për qytetarët e Prizrenit ndërkaq 52 % e çështjeve të iniciuara kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Prizrenit derisa Mybera Mustafa (LDK) dhe Osman Hajdari (PD) kanë shënuar numrin më të lartë të çështjeve të ngritura me nga 8.1 % të çështjeve të ngritura.

“Ajo cka vihet në pah gjatë kësaj periudhe është se Kuvendi i Komunës së Prizrenit nuk shqyrtoj apo miratoj ndonjë rregullore komunale mirëpo krahas kësaj edhe anëtarët e Kuvendit të Komunës nuk propozuan rregullore për miratim pranë këtij institucioni”, ka thënë Cahanaj.

Ndërsa për pyetjet e anëtarëve të parashtruara në këtë periudhe, Cahanaj ka thënë se gjatë seancave të mbajtura anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit kanë bërë gjithsej 71 pyetje nga të cilat gjithsej 47 % kanë qenë të lidhura me interesin e qytetarëve ndërsa 53 % e pyetjeve kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Prizrenit.
“Në këtë kontekst, anëtarët më aktiv në parashtrimin e pyetjeve në Kuvendin e Komunës së Prizrenit kanë qenë Drita Millaku (LVV) me 16.9 %, Arbër Rexhaj (LVV) me 12.7 %, Shani Berisha (BD) dhe Haziz Hodaj (LDK) me nga 8.5 % përkatësisht 7.0 % të pyetjeve të përgjithshme. Në Kuvendin e Komunës së Prizrenit në seancat e mbajtura në periudhën Janar-Qershor 2014 është vërejtur një mos pjesëmarrje e anëtarëve në seanca. Në këtë periudhë janë shënuar 11 raste të mungesës së anëtarëve në seancat e këtij institucioni”, përfundoj Cahanaj.

Fletënotimi për periudhën Janar-Qershor 2014 është përgatitur në kuadër të projektit “Përfshirja e qytetarëve për transparencë dhe llogaridhënie” projekt i mbështetur nga The Olof Palme Centre (OPIC). A.M

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat