UNDP lanson Raportin Global të Zhvillimit Njerëzor 2014

Lajme

UNDP lanson Raportin Global të Zhvillimit Njerëzor 2014

Më: 24 korrik 2014 Në ora: 10:01

Raporti global i Zhvillimit Njerëzor 2014 i titulluar: “Mbështetje progresit: Zvogëlimi i Cenueshmërisë dhe Ripërtëritja” do të lansohet sot në zyrat e UNDP-së.

Raporti argumenton se nivelet në zhvillimin njerëzor vazhdojnë të rriten - por ritmi është ngadalësuar për të gjitha rajonet dhe progresi ka qenë shumë i pabarabartë. Radhitja mbetet e pandryshuar në të dy skajet e indeksit të zhvillimit njerëzor (IzhNj).

Norvegjia, Australia, Zvicra, Holanda dhe Shtetet e Bashkuara mbesin në krye edhe këtë vit, ndërsa Sierra Leone, Çadi, Republika e Afrikës Qendrore, Republika Demokratike e Kongos dhe Nigeri vazhdojnë të përbëjnë fundin e listës.

Më tutje, në raport thuhet se pabarazia e përgjithshme ka rënë pak në shumicën e rajoneve megjithatë, dallime të larta vazhdojnë të jenë prezentë në arsim. Raporti tregon se gjeneratat e vjetra vazhdojnë të luftojnë me analfabetizmit, ndërsa ato më të rejat janë duke pasur vështirësi në kalimin nga shkollimi fillor në atë të mesëm.

Indeksi i ri i Zhvillimit Gjinor (GDI), që për herë të parë mat mospërputhjen në arritjet e zhvillimit të njeriut nga aspekti gjinor, tregon se në 16 vende, përfshirë këtu edhe Argjentinën, Estoninë, Finlandën, Poloninë, Slloveninë, Suedinë, vlerat e IZHNJ për femra janë të barabarta ose më të larta se ato për meshkuj.

Në konferencën e sotme, UNDP do të bëjë një prezantim të këtyre trendëve globale me theks të veçantë mbi pozitën e Kosovës sipas Indeksit të Zhvillimit Njerëzor.

Mbi Raportin: Raporti Global i Zhvillimit Njerëzor është publikim i pavarur editorial i UNDP-së që publikohet çdo vit që nga 1990.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat