Ferizaj po jetëson projekte të ujit të pijes dhe rrugëve

Lajme

Ferizaj po jetëson projekte të ujit të pijes dhe rrugëve

Më: 22 korrik 2014 Në ora: 22:50

Komuna e Ferizajt po punon në jetësimin e projekteve kapitale në bazë të planifikimeve të bëra. Bëhet e ditur se në periudhën 6 mujore të këtij viti, Drejtoria për Infrastrukturë ka shpenzuar mbi 4 milionë euro në projektet kapitale apo 78 për qind të mjeteve të planifikuara nga shuma prej 5182 496 euro sa ka pasur në dispozicion.

Drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës, Gafurr Ilazi, gjatë një raportimi të punëve të bëra në këtë drejtori ka thënë se në këtë shumë të shpenzuar, një pjesë e mjeteve ka shkuar edhe në pagesën e mjeteve nga borxhet e mbetura.

"Komuna e Ferizajt, gjatë këtyre gjashtë muajve po punon me përkushtim shumë të madh ne kryerjen e shumë projekteve infrastrukturore që janë në të mirë të të gjithë qytetarëve. Gjatë kësaj periudhe janë inicuar procedurat e tenderimit 18 projekte dhe disa prej tyre edhe kanë filluar të realizohen", ka thënë Ilazi.

Ai më pastaj ka përmendur edhe projektet duke thënë se për disa sosh janë nënshkruar edhe kontratat. Nisur nga ky raportim shihet se në komunën e Ferizajt ka ende për t'u punuar në jetësimin e projekteve të ujësjellësve dhe rrugëve, ndërsa sipas zyrtarëve projektet e kanalizimeve tashmë kanë përfunduar në të gjitha fshatra e komunës.

"Sa i përket kanazlimit janë kryer në të gjitha fshatrat, ndërsa projektet e ujësjellësve janë në fazën e realizimit në Greme, Rakaj, dy Prelezat, Softaj dhe Papaz. Në fazën fillestare ndodhet edhe projekti i ujisjellësit për fshatrta Bibaj,Sojevë, Zllatar dhe Dardani, fshatra këto që nuk kanë fare sistem të ujësjellësit", ka shtuar Ilazi.

Ndryshe, shumë herë është thënë se komuna e Ferizajt, ka përmbyllur fazën bazike të investimeve në infrastrukturë dhe se orientimet do shkojnë drejtë investimeve strategjike. Statistikat e sjellura nga Drejtoria e Infrastrukturës, lënë për të kuptuar se duhet edhe shumë investime në fushën e infrastrukturës bazike në komunën e Ferizajt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat