Ahmeti: Kemi probleme në prokurim

Lajme

Ahmeti: Kemi probleme në prokurim

Më: 22 korrik 2014 Në ora: 15:02

Në tryezën e organizuar sot nga Lëvizja FOL temë diskutimi ishte “Aktivitetet e Prokurimit Publik në periudhën e parë 6 mujore të vitit”, në të cilën është diskutuar përmbledhja e të dhënave statistikore në lidhje me aktivitetet e prokurimit në komunën e Prishtinës.
Kryetar i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka deklaruar se ndër masat e para që ka ndërmarrë me të ardhur në pushtet ka qenë hapja e zyrës së prokurimit për monitorim nga ana e shoqërisë civile. “Komuna është duke planifikuar zhvillimin e një softveri në mënyrë që të shihen të gjitha të dhënat sa i përket operatorëve ekonomik që aplikojnë, kjo do të bënte edhe më transparente punën në prokurimin publik, ndërkaq si fazë e tretë sipas tij është riorganizimi më i mirë dhe ndryshimi që duhet bërë në mënyrë që komuna të jetë më e përgatitur që ti përgjigjet të gjitha kërkesave dhe si rrjedhojë të ketë një qeverisje të mirë”, ka thënë Ahmeti.

Poashtu, Ahmeti ka pranuar se qëndrojnë problemet e përgjithshme të cekura në raportin e FOL-it ka shtuar se sipas tij drejtori i prokurimit duhet të jetë staf civil dhe jo staf politik, në këtë mënyrë nuk do të ketë ndikime nga politika tek ai, OSHP-ja duhet të jetë shumë më profesionale se sa që është dhe se duhet të hartohet një listë me çmime referente dhe ne të mos përballemi me çmimet jo normalisht të ulëta.

Sipas Ahmetit edhe hartimi i “Listës me kompani jo serioze” dhe menaxhimi më i mirë i kontratave do të kontribuonte që ky proces të jetë pa probleme.

Ndërsa, nga Lëvizja FOL, Kenan Tora ka thënë se qëllimi i kësaj tryeze është që të diskutohet mbi problemet dhe parregullsitë e mundshme që i shoqërojnë zhvillimin e procedurave të prokurimit publik në komunën e Prishtinës. Më tutje, ai ka vazhduar me të gjeturat e raportit për këtë komunë duke theksuar se gjatë periudhës së parë 6 mujore të këtij viti Komuna e Prishtinës ka shpallur gjithsej 64 Njoftime Kontrate, 43 Njoftime për Dhënie të Kontratës, 13 Njoftime Anulimi, 3 Anulime të Dhënies së Kontratës. Në këtë periudhë kohore Organi Shqyrtues i Prokurimit, si organ i autorizuar dhe i obliguar me Ligjin për Prokurim Publik për shqyrtimin dhe vendosjen e lëndëve të ankesave në aktivitetet e Prokurimit Publik në institucione publike, ka marrë dy vendime kundër komunës së Prishtinës duke i kthyer 2 tender në Ri-vlerësim. Për sa i përket problemeve që në përgjithësi janë prezente në prokurimin publik ai theksoi problemin e mos-standardizimit të procesit të hartimit të dosjes së tenderit, çmimeve jo-normalisht të ulëta, mos-koordinimit në mes të institucioneve të ndryshme dhe jo-profesionalizmit të komisioneve të vlerësimit.

Kurse, Drejtor i prokurimit në komunën e Prishtinës, Xhevat Simnica, ka thënë se problemi i çmimeve jo-normalisht të ulëta po ndikon drejtpërdrejtë edhe në kualitetin e implementimit të kontratave dhe se monitorimi më i mirë i implementimit të kontratave do të ndikonte që ulej rreziku që paraja publike të dëmtohet nga manipulimet me çmime jo-normalisht të ulëta.

Gjithashtu në këtë tryezë ka folur edhe Muhamet Selmani, asamblist nga radhët e PDK-së në komunën e Prishtinës, ka thënë se komuna e Prishtinës në aspektin e prokurimit është mjaft mirë e konsoliduar, dhe si rrjedhojë kjo ka ndihmuar edhe në realizimin e projekteve. Mirëpo sipas tij këtë 6-mujor komuna është karakterizuar me dinamik të ulët të realizimit të projekteve kapitale dhe kjo do të ndikojë negativisht në fund të vitit në mirë menaxhimin e buxhetit. Po ashtu edhe Selmani ka potencuar rëndësinë e implementimit kualitativ të kontratave.

Problemin e dinamikës së ulët të realizimit të projekteve dhe planit të prokurimit për vitin 2014 e potencoi edhe Osman Bllaca nga INPO. A.M

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat