Aktuale Fëmijët ekspozohen në përmbajtje të papërshtatshme

Lajme

Aktuale Fëmijët ekspozohen në përmbajtje të papërshtatshme

Më: 21 korrik 2014 Në ora: 14:13


Këshillimori i prindërve është vërejtja që mediat, sidomos televizionet, e bëjnë kur janë gati të lëshojnë një përmbajtje që supozohet të jetë e papërshtatshme për një moshë të caktuar.

Përkrah kësaj vërejtje në televizione, është edhe censurimi i teksteve të këngëve, që kanë përmbajtje eksplicite apo vulgare, dhe që kodohen deri në mesnatë, në mënyrë që fëmijët mos t’i dëgjojnë.

Mirëpo, në Kosovë shpeshherë fëmijët ekspozohen në përmbajtje që nuk është e përshtatshme për ta, qoftë nga televizionet, radiot, gazetat dhe interneti, edhe pse ekziston rregullorja që ndalon një gjë të tillë.

Mimoza Shahini është psikologe. Ajo thotë se mediumet padyshim kanë përgjegjësi për publikun, duke thënë se televizioni është një nga mediat më të fuqishme të informimit dhe edukimit të qytetarëve.

Por, zonja Shahini thotë se përgjegjësinë më të madhe e kanë prindërit, që duhet patjetër të jenë të pranishëm kur një fëmijë është duke shikuar televizion.

“Definitivisht është e papranueshme që fëmijët të shikojnë emisione, përmbajtja e të cilave nuk kuptohet nga ta. Nuk është shumë e rëndësishme se a është skenë dhune, skenë seksuale apo është një skenë që me të vërtetë e kalon kapacitetin, që fëmija nuk di t’i japë kuptim. Prindërit njëherë e mirë duhet ta kuptojnë që sa herë që fëmija ulet para televizorit, ata duhet të shikojnë emisione që përkojnë më zhvillimin e tyre”, thotë ajo.

Shahini bën të ditur se edhe në momentin kur një fëmijë sheh ndonjë skenë që nuk di ta kuptojë, prindi e ka përsipër t’ia shpjegojë.

“Nëse fëmija nuk është në gjendje t’i japë kuptim asaj që shikon, ai do ta internalizojë gjithmonë atë anën të cilët prindërit nuk e dojnë. Të themi, nëse nuk është e mundur të ndalohen fëmijët të shikojnë televizion, së paku duhet të ulen bashkë me prindër në mënyrë që prindi të jetë aty, që t’i shpjegojë fëmijës skena apo epizoda apo momente, që fëmija nuk është në gjendje t’i kuptojë, t’i kapërdijë dhe t’i japë kuptim”, thotë Shahini.

Në Rregulloren për Subjektet Transmetuese për Mbrojtjen e Fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme programore, që është e bazuar në Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Transmetim, thuhet se qëllimi i saj është të mbrohen fëmijët nga programet të cilat mund të ndikojnë negativisht te ta.

Kryesisht bëhet fjalë për skena të dhunshme, seksuale, fjalor vulgar, gjestikulacione dhe sjellje të ngjashme.

Kjo rregullore përcakton edhe mënyrën e kategorizimit, sinjalizimit dhe zgjedhjes së kohës së transmetimit të programeve që nuk janë të përshtatshme për fëmijë dhe për të mitur. Rregullatorja përkufizon termin “fëmijë” me atë që është nën moshën 14 vjeçare, dhe termin “i mitur” me atë që është prej 14 deri në 18 vjeç.

Zekirja Shabani, kryetar i Agjencionit të Gazetarëve të Kosovës, thotë se në praktikë ekziston një pasqyrë krejt ndryshe e asaj që është paraparë në rregulloren e KPM-së.

“Në transmetimin e përditshëm, qoftë në televizion, radio apo edhe shkrime nëpër gazeta, jemi dëshmitarë që nuk i përmbahen aq sa duhet. Ndoshta edhe nuk e kanë njëfarë vetë-rregullimi që të përmbahet edhe përtej asaj që e përcakton ligji. Duhet të kemi parasysh që fëmijët ndikohen shumë lehtë prej transmetimeve të ndryshme. Pra në praktikë është një pasqyrë krejt ndryshe prej asaj që është në letër”, thotë Shabani.

Shenjat dhe piktogramet janë të parapara që të vendosen para fillimit të programeve dhe pas çdo ndërprerjeje që bëhet, në televizion me pamje vizuale të shenjës që rekomandon që përmbajtja nuk është e përshtatshme për fëmijë deri në një moshë të caktuar, ndërsa në radio me paralajmërim verbal dhe akustik.

“Kemi televizione private të cilat gjatë gjithë kohës transmetojnë qoftë muzikë, qoftë emisione të ndryshme argëtuese apo emisione tjera, të cilat nuk janë të lejueshme për fëmijë në kohën kur transmetohen”, thekson Zekirja Shabani.

Këshillimori për prindërit është përdorur për herë të parë nga Shoqata e Industrisë të Regjistrimit të Amerikës (RIAA) në vitin 1985, dhe më pas është miratuar edhe nga Industria Fonografike e Britanisë.

Megjithatë, ky paralajmërim është vënë në pyetje për mos-efikasitet, pasi që në mbarë botën, audienca e mitur vazhdon të jetë e ekspozuar në materiale të papërshtatshme për moshën e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat