Kosova nuk e njeh lekun shqiptar

Lajme

Kosova nuk e njeh lekun shqiptar

Më: 12 korrik 2014 Në ora: 09:13

Megjithëse bankat komerciale të cilat operojnë në Kosovë këmbejnë në euro valutën e dollarit amerikan, frangut zviceran dhe funtës britanike, të njëjtat banka nuk e praktikojnë këmbimin e valutës së lekut shqiptar.

Banka Qendrore edhe pse e përditëson kursin e këmbimit çdo ditë hesht duke mos i detyruar bankat komerciale që të pranojnë lekun, kërkesë e cila është në rritje për shkak të rritjes së frekuentimit ndërmjet dy vendeve, rritjes së bashkëpunimit të biznesit, numrit të madh të pushuesve në bregdetin shqiptar dhe rritjes së numrit të turistëve malorë nga Shqipëria.

Për njohësit e çështjeve ekonomike moskëmbimi i valutës së lekut me valutat e tjera, është edhe veprim kundërligjor, pasi bankat komerciale nuk mund ta refuzojnë këtë valutë, por në rast të këmbimit mund të aplikojnë një normë të pagesës.

Ndërsa, punonjëset e bankave në Kosovë thonë se asnjë nga bankat komerciale që operojnë në Kosovë nuk bëjnë këmbimin e kësaj valute, megjithëse sipas tyre ky shërbim mund të kryhet vetëm në pikë këmbimi.

Për njohësin e çështjeve ekonomike Ibrahim Rexhepi, në Kosovë nuk është asnjë valutë e ndaluar dhe bankat duhet ta mbajnë si valutë edhe lekun, sikurse edhe denarin e Maqedonisë.

Ndërsa në anën tjetër, zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës Besnik Kada, tha për KosovaPress, se këmbimi i lekut për t’u këmbyer me valutat e tjera, bazohet sipas ofertës dhe kërkesës në treg.

Përveç bashkëpunimit nga ana e bizneseve, shumica e qytetarëve janë duke kaluar pushimet në bregdetin shqiptar dhe kanë nevojë që të pajisen me lekë para se të nisën për pushime, si dhe është rritur edhe numri i turistëve malorë nga Shqipëria .

Në Prishtinë, gjendet vetëm një pikë këmbimi, e cila gjendet afër objektit të Komunës së Prishtinës, ku qytetarët mund të këmbejnë lekun me euron.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat