Çerdhet me bazë në komunitet

Lajme

Çerdhet me bazë në komunitet

Më: 11 korrik 2014 Në ora: 15:14

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, bashkë me drejtuesen e Kabinetit, Fitore Pacolli, sot kanë prezantuar modelin e ri të çerdheve me bazë në komunitet që do të hapen brenda këtij viti në Komunën e Prishtinës.

Në konferenc për media, Ahmeti ka shpjeguar se Komuna e Prishtinës ka tri objekte në të cilat ka investuar qeverisja e kaluar por të cilat për shkak të kufizimeve buxhetore nuk janë funksionalizuar asnjëherë dhe të cilat edhe janë dëmtuar duke mos u shfrytëzuar.
“Duke pasur parasysh kufizimet që kemi Komuna e Prishtinës ka dizajnuar një model të ri, në përputhje me Ligjin Mbi Edukimin Parashkollor Nr. 02/L-52 dhe Udhëzimin Administrativ Nr. 42/2007, përmes të cilit do t'i funksionalizojë këto çerdhe si dhe objekte tjera Komunale në të mirë të komunitetit”, ka thënë Ahmeti.

Modeli i çerdhes me bazë në komunitet do të fillon si pilot projekt në lagjen Mati ku edhe është duke u rinovuar objekti dhe brenda vitit do të do të hapim edhe tri çerdhe tjera në Lagjen Hajvalia, dhe në fshatrat Busi dhe Besi.

Përmes këtij modeli Komuna e Prishtinës synon që të krijoj institucione parashkollore të cilat do të menaxhohen nga Komuniteti.

Këshilli i Komunitetit, i cili zgjedhjet nga komuniteti, do te përbëhet prej 7 (anëtarësh). Këshilli i komunitetit nën mbikëqyrjen e Komunës së Prishtinës përmes konkursit publik, në përputhje me procedurat ligjore për rekrutim dhe kriteret ligjore të përcaktuara nga MASHT-i, do të siguroj edukatoret dhe personelin tjetër të nevojshëm. Këshilli i komunitetit do të jetë përgjegjës për mirëmbajtjen e objektit, higjienës, sigurimin e ushqimit, pagesën e personelit, krijimin dhe menaxhimin e fondeve në bazë të rregulloreve që do të harton Këshilli.

Ky model, përveç se do ta lirojë Komunën e Prishtinës nga barra e menaxhimit dhe investimit të vazhdueshëm në mirëmbajtje dhe shpenzime në mjetet e nevojshme për punë, mundëson që cilësia dhe kujdesi ndaj fëmijëve të jetë shumë më i mirë. A.M

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat