Komuna e Gjilanit do të nis ndërtimin e dy shtëpive të para në Sllakoc të Epërm

Lajme

Komuna e Gjilanit do të nis ndërtimin e dy shtëpive të para në Sllakoc të Epërm

Më: 10 korrik 2014 Në ora: 15:27

Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri me drejtorët e drejtorive komunale, ka vizituar sot dy familjet me gjendje skajshmërisht të rënda sociale në Sllakoc të Epërm, për të cilat Komuna ka prioritet ndërtimin e shtëpive të tyre këtë vit.

“Bëjmë ftesë publike për solidaritet, sepse gjendja sociale e familjeve tona është shumë e rëndë dhe kërkon ndërhyrje urgjente të institucioneve dhe shoqërisë”, ka apeluar kryetari Haziri.

Ai gjatë vizitës në këto familje në fshatin Sllakoc të Epërm, ka vënë si prioritet të Komunës së Gjilanit ndërtimin e këtyre shtëpive në mënyrë që vjeshta e këtij viti këto familje t’i gjejë me kulm mbi kokë.
“Gjendja në të cilën jetojnë këto familje në këtë fshat është shumë e rëndë dhe shqetësuese për institucionet dhe për shoqërinë në përgjithësi, kur kemi parasysh se ka edhe shumë familje të tjera në këtë gjendje. Ne me kapacitetet që kemi nuk mund t’i rregullojmë të gjitha shtëpitë, ngase jemi të kufizuar në aspektin buxhetor. Për këtë bëjmë ftesë publike për solidaritet të shoqërisë në mënyrë që sadopak të ndikojmë në përmirësimin e gjendjes së familjeve tona”, ka thënë ndër të tjerash kryetari Haziri, gjatë vizitës në familjet e Feriz Imerit (8 anëtarë të familjes) dhe Adem Mumqillës (7 anëtarë të familjes), asnjë i punësuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat