Rezultati i maturës - për ekspertët jo i kënaqshëm, për ministrinë i pritshëm

Lajme

Rezultati i maturës - për ekspertët jo i kënaqshëm, për ministrinë i pritshëm

Më: 10 korrik 2014 Në ora: 14:32

Rezultati i Provimit Shtetëror të Maturës prej 52 për qind kalueshmëri nuk është i kënaqshëm, thonë ekspertët e arsimit, duke theksuar se ai do të ishte edhe më i ulët nëse nuk do të ndodhnin parregullsitë. Ky rezultat që mat edhe cilësinë në arsim, do të thotë që cilësia është shumë e ulët, thonë ekspertët. Ndërkohë, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, thonë se ky rezultat ishte i pritshëm, pasi janë nxënësit e shkollave profesionale që e ulin atë.

Rezultatet e testit të maturës nuk po ndryshojnë, por në përgjithësi krahasuar me vitet e kaluara janë po të njëjtit nivel. Eksperti i Arsimit, Dukagjin Pupovci, tha për transmetuesin publik, se rezultatet e testit të maturës janë gati të njëjta nga viti në vit. Ai beson se po të mos kishte pasur manipulime siç ndodhën në ditën e parë të testit, rezultati do të ishte edhe më i ulët se 52 për qind. Pupovci, tha se për të eliminuar këto parregullsi, në radhë të parë duhet të sigurohet besueshmëria e testit, në mënyrë që testi të analizohet dhe të shikohet se ku janë dobësitë.
“Nëse dobësitë kanë qenë në të gjithë Kosovën në pyetje të caktuara, atëherë faji duhet të kërkohet te plan programi, tekstet shkollore, etj. Nëse rezultatet e dobëta kanë qenë në një shkollë të caktuar për pyetje të caktuara, atëherë problemi është tek mësimdhënia. Pastaj është vërejtur një gjë gjatë këtyre viteve se nxënësit në shkollat profesionale kanë rezultat më të dobët se ata të gjimnazeve, dhe kjo është një çështje që kërkon analizë”, ka thënë Pupovci.
Ndërkohë, udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim dhe Standarde në Ministrinë e Arsimit, Mustafë Kadriu, tha për për transmetuesin publik, se kalueshmëria e maturantëve prej 52 për qind është një rezultat i pranueshëm. Ai e arsyetoi këtë rezultat duke theksuar se nxënësit e arsimit profesional hyjnë në provim të maturës të papërgatitur për shkollimin universitar.

“Kjo të jep të kuptosh se këtë gjendje e kemi edhe po të jenë 200 mijë nxënës në provim, 50 për qind është kalueshmëria. Pastaj arsimi profesional as 10 - 20 për qind nuk janë për studime, ata janë për tregun e punës. Filozofia e maturës është për vazhdimin e shkollimit të mëtutjeshëm në universitet”, ka është shprehur Kadriu.

Ai tutje theksoi se në gjimnaze suksesi qëndron mirë, ndërsa me shkollat profesionale rezultatet vazhdojnë të ripërsëriten të dobëta. Mirëpo, ekspertet thonë se ky rezultat mat edhe cilësinë në arsim, duke shtuar se kjo cilësi nuk është në nivelin e kënaqshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat