Punimet e projektit të Ujësjellësit në fazën e dytë

Lajme

Punimet e projektit të Ujësjellësit në fazën e dytë

Më: 10 korrik 2014 Në ora: 12:58

Projekti më i madh i filluar nga Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm të konsumatorëve të tij, është në fazën e dytë të punimeve. Kjo ka bërë që shumë rrugë të kryeqytetit të hapen për vendosjen e rrjetit. Zëdhënësja Arjeta Mjeku tha për Radio Kosovën se pas përfundimit të punimeve, të gjitha rrugët do të kthehen në gjendjen e mëparshme. E punimet në rrugë po i pengojnë qytetarët e në veçanti vozitësit.

Shumë rrugë në lagje të ndryshme të kryeqytetit në Lagjen Bregu i Diellit, lagjen Velani dhe lagjen Dodona janë hapur nga Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, për shkak të vendosjes së rrjetit primar, sekondar dhe terciar që po bëhet në fazën e dytë të punimeve, e që do të lidhet me fabrikën e ujit në Shkabaj. Kjo po shkakton telashe për qytetarët që qarkullojnë çdo ditë në këto rrugë.
Mirëpo, zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Arjeta Mjeku, thotë për Radio Kosovën, se e gjithë kjo bëhet për finalizimin e plotë të projektit, i cili do t’ia zgjidhë Prishtinës dhe komunave përreth problemin e ujit. Ajo paralajmëron se e gjithë faza e dytë e vendosjes së rrjetit të ujit por edhe ndërrimit të rrjetit të kolektorëve të ujërave të zeza, do të zgjasë në periudhë prej një deri në një vit e gjysmë, andaj apelon tek qytetarët që të mos i pengojnë punimet.
“Në pjesët ku janë të mbuluara me zhavorr ka ende punimet që do të bëhen në të ardhmen dhe pas një viti e tërë zona ku është punuar nga kontraktuesit e Bankës Gjermane, do të mbulohet me asfalt dhe çdo gjë do të kthehet në gjendjen e mëparshme”, ka thënë Arjeta Mjeku.
Për të gjithë këtë projekt, Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” ka marr kredi të shumta, e që është e detyruar të kërkojë nga zyra e rregullatorit ngritjen e çmimit të ujit, thotë Mjeku.
“Ne kemi hyrë në kredi të shumta, fillimisht 6 milionë euro, më pas 20 milionë dhe në total kthimi i kredisë do të jetë në vlerë prej 30 milionë euro, që e kemi marr nga Banka Gjermane, më pas rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe rritja e çmimit të shërbimeve ndaj cilësisë së konsumatorëve, na shtynë edhe ne që me doemos ta rrisim çmimin e ujit. Ne do ta kërkojmë këtë nga Zyra e Rregullatorit dhe nëse do të ketë rritje ajo do të fillojë të zbatohet nga data 1 janari i vitit të ardhshëm dhe nuk do ta prek shumë xhepin e konsumatorëve”, ka shtuar zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.
Po ashtu, Arjeta Mjeku bëri të ditur se faza e tretë është ndërtimi i Fabrikës së Ujit në Shkabaj, që sipas saj do të fillojë pas dy muajsh, e që pritet të përfundojë në vitin 2016.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat