Adem Beha: 16 Rekomandime si me ndreq punë n'UP

Lajme

Adem Beha: 16 Rekomandime si me ndreq punë n'UP

Më: 9 korrik 2014 Në ora: 15:34

Ligjëruesi i Shkencave Politike në UP, Adem Beha, ka shkruar 16 rekomandime për përmirësimin e cilësisë së shkencës në Universitetin e Prishtinës.
Ndër të tjera, ai ka propozuar që stafi akademik të ketë në kontratë që 30 përqind e normës së punës të merret me punë kërkimore-shkencore.

Aktualisht, UP ofron kontratë vetëm për mësimdhënie për personelin akademik por aty askund s’përfshihet puna kërkimore-shkencore.

“.. Krijoj marrëdhënie kontraktuale me stafin e tij duke obliguar stafin akademik që 30 % nga totali i normës së orëve të dedikohen në punë kërkimore”, thuhet në njërin prej rekomandimeve të Adem Behës.

Më poshtë mund t’i lexoni të gjitha rekomandimet:

Të përgjithshme:

• Inicimi i rishikimit në plotëni i Strategjisë dhe përfshirja e komunitetit të shkencëtarëve, kërkuesëve dhe partnerëve të tjerë të interesuar në këtë proces bazuar në qasjen nga ‘poshtë-lartë’;
• Planifikimi real, konkret, dhe i zbatueshëm i buxhetit dhe alokimi i këtij buxheti për zbatimin e Strategjisë;
• Fillimi i punës për hartimin e Strategjisë për Veprimtari Kërkimore-Shkencore/Artistike dhe Zhvillimore 2017-2020 bazuar në përvojat dhe mësimet nga Strategjia aktuale.

Të veçanta:

• Themeloj një grup të ekspertëve të jashtëm, të cilët do të prodhonin raporte gjashtë mujore mbi jetësimin e masave të parapara në Strategji;
• Thjeshtëzoj të gjitha procedurat dhe kohëzgjatjen për shfrytëzimin e fondeve ekzistuese për kërkime dhe publikime shkencore;
• Bashkëpunoj me ndërmarrjet publike, bizneset privat, MASHT dhe partnerët ndërkombëtar, të krijoj fond të veçantë mobiliteti për kuadrot e saj për që qëndrime hulumtuese jashtë vendit dhe për të ftuar hulumtues e profesorë mysafir;
• Miratoj një rregullore për stimulimin financiar të personelit të saj akademik të përfshirë në punë kërkimore;
• Rifunksionalizoj institutet kërkimore duke planifikuar buxhet vjetor për veprimtarinë e këtyre instituteve dhe themeloj institute të tjera të nevojshme;
• Themeloj ‘çmim për punimin më të mirë vjetor’ të botuar qoftë nga stafi apo nga studentët e saj në revista me kredenciale dhe recension ndërkombëtar;
• Krijoj marrëdhënie kontraktuale me stafin e tij duke obliguar stafin akademik që 30 % nga totali i normës së orëve të dedikohen në punë kërkimore;
• Rifuksionalizoj, ndaj buxhet specifik, ndërtoj kapacitete të Grupit Bërthamë, një mekanizëm ky i krijuar me Strategji, për planifikimin dhe ofrimin e asistencës teknike dhe shkencore për projektet kërkimore në UP;
• Zbatoj marrëveshjet që ka nënshkruar me universitete tjera partnere, dhe ndërtoj partneritete të reja funksionale e strategjike ndërkombëtare;
• Ndërtoj një zyre administrative, ku do të kontraktoheshin ekspertë të huaj dhe vendor për shkrimin e projekteve, gjetjen e partnerëve ndërkombëtar, dhe aplikimin në fondet e Bashkimit Evropian, si ‘Horizont 2020’;
• Aprovoj një Kod Etik për hulumtime në terren, që precizon mënyrën e marrjes së informatave dhe procedimin e tyre në pajtim me etikë e hulumtimit, si kriter bazik metodologjik i kërkimeve shkencore, dhe në përputhje me vlerat humane;
• Ndjek një politikë të vendosur anti-plagjiarizëm. Në këtë aspekt, UP-ja duhet të rifunksionalizoj Komisionin e Etikës, i cili duhet të punoj në mënyrë të pavarur, pa ndikime politike, dhe të jetë filtri i çdo gradimi akademik, përfshirë marrjen dhe anulimin e titujve shkencor;
• Kërkoj nga të gjitha njësitë akademike që të themelojnë borde këshillëdhënëse, ku do të përfshiheshin kompanitë publike, biznesi privat, mediat, shoqëria civile dhe think-tank-et. Duke i përfshirë të gjitha palët e interesuar gjatë hartimit të kurrikulave dhe kurseve akademike në njësitë akademike respektuese, do të rritej ndjeshmëria për përmbushjen e nevojave të tregut për kuadro deficitar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat