Bahtiri premton mbështetje për Shoqatën e të Verbërve të Kosovës

Lajme

Bahtiri premton mbështetje për Shoqatën e të Verbërve të Kosovës

Më: 6 korrik 2014 Në ora: 18:46

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka pritur sot në takim Mexhit Foniqin, nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës dhe Bujar Kadriun, kryetar i Shoqatës së të Verbërve në Mitrovicë, me të cilët ka biseduar për gjendjen e përgjithshme të personave të verbër dhe me të pamur të dobësuar. Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori i Integrimeve Evropiane dhe Mirëqenies Sociale, Mensur Beqiri.

Drejtor Ekzekutiv i SHVK-së, Mexhit Foniqi e ka njoftuar Bahtiri për gjendjen ekonomike dhe sociale të të verbërve të Kosovës dhe për angazhimet e Shoqatës për të bërë sa më shumë për përmirësim të gjendjes dhe për përkujdesje sa më të mirë për anëtarët e saj.
Gjithashtu, ai ka thënë se në Kosovë janë rreth 4 mijë persona të verbër ose me të parë të dobësuar, që duhet të jenë pjesë e barabartë e shoqërisë.

“Të verbrit në Kosovë, problem kryesor e kanë punësimin, pasi vetëm një numër shumë i vogël i tyre, janë të punësuar, që kryesisht kryejnë punë në telefoni, zyre apo radio. Edukimi e inkuadrimi i tyre mbetet sfidë, ndërsa që Alfabeti Braille i ndihmon jashtëzakonisht shumë. Deri tash, nga 40 persona që kanë filluar studimet universitare, 50 për qind e tyre tashmë i kanë përfunduar. Nuk kemi kërkesa të mëdha, por i kemi shumë solide e që duam të jemi të barabartë me të tjerët”, ka thënë Foniqi.
Në anën tjetër, Bahtiri ka premtuar angazhim në realizimin e kërkesave të personave të verbër dhe u zotua për përkrahje të SHVK-së dhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve të verbër në Mitrovicë. “Me aq sa do të ketë mundësi, komuna do të ju mbështes. Jam i njoftuar me të gjitha problemet me të cilat ballafaqoheni dhe besoj se ne do të ju ofrojmë mbështetjen e vazhdueshme. Personat me të pamur të dobësuar kanë aftësi të larta dhe kjo duhet vlerësuar”, ka thënë Bahtiri.
Kryetar i Shoqatës së të Verbërve në Mitrovicë, Bujar Kadria e ka falënderuar komunën e Mitrovicës për mbështetjen e deritanishme dhënë kësaj shoqate. A.M

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat