Rrethrrotullimi, brenda javës

Lajme

Rrethrrotullimi, brenda javës

Më: 5 korrik 2014 Në ora: 10:28

Pas shumë premtimeve dhe zhurmës së madhe që është bërë ndërmjet partive politike, duket se rrethrrotullimi në lagjen “Veternik” të Prishtinës do të lëshohet në funksion brenda një jave.

Gjithnjë duke u bazuar në deklaratat që i kanë dhënë përfaqësuesit e kompanisë “Beni Com”, punimet në këtë rrethrrotullim kanë filluar dy vjet më parë, mirëpo për shkak të shpronësimit punimet ishin ndërprerë disa herë, për të filluar në shkurt të këtij viti.

Megjithatë edhe pse u zgjidh problemi pronësor dhe u tha se punimet do të kryhen në muajin maj, kjo nuk ndodhi, me arsyetimin se nuk u punua për shkak të reshjeve të mëdha të shiut në muajt e fundit.

Hysen Durmishi, drejtor i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale në Komunën e Prishtinës, tha se projekti i rrethrrotullimit tashmë është në fazën përfundimtare.

“Gjatë kësaj jave do të përfundojë asfaltimi i rrethit dhe aty do të mbesin vetëm disa punë të vogla përfundimtare, siç janë gjelbërimi e disa punë të tjera. Kështu siç janë duke shkuar punët rrethrrotullimi do të përfundojë në afatin e paraparë, mirëpo nëse do të ketë vonesa atëherë ne ndaj kompanisë do të marrim masat siç janë të parapara me ligj”, ka njoftuar Durmishi, transmeton zeri.

Se punimet në rrethrrotullimin te “Veterniku” janë ka fundi e thotë edhe Kadri Abdullahu, mbikëqyrës i punimeve në kompaninë punëkryese “Beni Com”.

“Tash për tash jemi duke e përgatitur tërë trasenë dhe mendoj se brenda një jave ky rrethrrotullim do të lëshohet në funksion. Po ashtu do t’i rregullojmë edhe disa rrugë tjera anësore që kryhen shpejt. Tuneli është kryer dhe tash ka mbetur vetëm të bëhet mbushja dhe asfaltimi”, ka njoftuar dje Abdullahu, sipas të cilit, punimet nuk u përfunduan në muajin maj, për shkak të reshjeve të shiut.

“U pat thënë në maj (Shpend Ahmeti), mirëpo duhet rikujtuar se 30 ditë kemi pasur reshje shiu që na kanë penguar në punë. Mirëpo këto ditët e fundit jemi duke punuar deri në orën 01:00 pas mesnatës dhe besoj se punimet do të kryhen brenda një jave”, ritheksoi Abdullahu.

Edhe pas funksionalizimit të rrethrrotullimit, ai tha se do të punohen edhe punë tjera si gjelbërimi e punë tjera të vogla që nuk do ta pengojnë assesi komunikacionin.

Mirëpo, qytetarët që dje kalonin nga kjo rrugë, shpreheshin skeptikë se punimet do të kryhen brenda një jave.
“Çdo ditë kaloj nga kjo rrugë, dhe punimet kanë zgjatur shumë, bile e kanë tepruar. Por dhashtë zoti që të kryhen më shpejt edhe pse nuk e besoj se do të kryhen brenda një jave”, ka thënë qytetari Sali Selimi. Sipas tij, me rregullimin e kësaj rruge do të lirohet komunikacioni i ngarkuar i Prishtinës.

Edhe qytetari tjetër, Nezir Dugolli, tha se kjo rrugë është zvarritur mjaft shumë.

“Zvarritjet në këtë rrugë na kanë shkaktuar mjaft shumë nervozë. Nuk i di arsyet e vonesës, por me siguri mungesa e parave ka qenë arsyeja kryesore. Nuk po e besoj që brenda javës, rrethrrotullimi do të jetë gati sidomos për faktin se makineria po shihet se është stacionuar dhe nuk po shoh punëtorë duke punuar.Në bazë të kësaj që po shoh, mendoj se punët do të kryhen pas një muaji atëherë pasi që të shkojnë kurbetçarët”, ka thënë si me ironi ai.

Funksionalizimit të rrethrrotullimit që është arteria kryesore e kryeqytetit, i gëzohen shumë edhe bashkatdhetarët që kanë filluar të vinë nga vende të ndryshme të botës.

“Kam ardhur dje dhe sikurse vite më parë edhe tash ende po punohet, por shpresoj që së shpejti do të lëshohet në funksion sepse sa herë që kaloj nga kjo rrugë më kap nervozë. E punimet duhet të përshpejtohen sidomos për faktin se tashmë fillon ardhje e fluksit të madh të bashkatdhetarëve, siç jam edhe unë”, theksoi Muharrem Krasniqi.

Ky projekt përfshin dy nënkalime për këmbësorë, nënkalimin e veturave, rrethin, dy rrugë anësore dhe dy rrugë lidhëse. Rrethi do të jetë i madh 70 metra dhe do të ketë gjelbërim, sinjalizim horizontal dhe vertikal. Ky projekt ka kushtuar 5.4 milionë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat