Bushati: Shqipëria dhe Kosova, bashkë në nismat rajonale

Lajme

Bushati: Shqipëria dhe Kosova, bashkë në nismat rajonale

Më: 4 korrik 2014 Në ora: 22:23

Politika e jashtme e Shqipërisë ka në themel të saj avancimin e të drejtave dhe interesave të shqiptarëve në rajon. Një mbështetje të fuqishme Shqipëria do të jap për anëtarësimin e Kosovës në të gjitha nismat rajonale, është shprehur ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati, në hapjen e konferencës treditore të diplomatëve shqiptarë.

"Në themel të politikës sonë të jashtme qëndron avancimi i të drejtave dhe interesave të shqiptarëve në rajon. Në këtë drejtim Shqipëria do ti vazhdojë përpjekjet dhe aksionin e saj rajonal dhe ndërkombëtar për të krijuar kushtet dhe konsensusin e anëtarësimit të Kosovës në nismat rajonale. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën kanë një karakter specifik. Organizimi për herë të parë i mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive tona dhe nënshkrimi i përbashkët, i deklaratës së partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës, shënoi një fazë të re të një kuadri të lartë dhe të veçantë të arritur në marrëdhëniet tona. Bashkëpunimi ynë me Kosovën është strategjik për ne, stabilizues për rajonin dhe orientues për të ardhmen tonë të përbashkët euroatlantike," tha ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

Më tej, Bushati përmendi edhe marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë që synon normalizimin e marrëdhënieve drejt rrugës së pajtimit. Ai theksoi se epoka e diplomatëve klientelistë ka marrë fund, dhe se shërbimi i jashtëm ka kuptim kur bazohet në meritë.

Konferenca e Ambasadorëve e titulluar “Diplomacia në Veprim” do të vijojë për tri ditë rresht, ku do të flitet për politikën e jashtme dhe rolin e Shqipërisë në rajon

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat