Ramadan Muja e zhyt në borxhe Komunën e Prizrenit

Lajme

Ramadan Muja e zhyt në borxhe Komunën e Prizrenit

Më: 4 korrik 2014 Në ora: 12:24

Prizreni për PDK’në është si Jerusalemi për izraelitët. Për ta fituar këtë komunë Hashim Thaçi përdori edhe mikun e tij më të fuqishëm që e ka në botë- kryeministrin turk Tajyp Erdogan. Por, Auditori thotë se udhëheqësja e kësaj komune që drejtohet tash për të tretin mandat nga pensionisti Ramadan Muja, e ka rrasur në borxhe marramendëse Prizrenin. Flitet edhe për dyshime të shpërdorimit të fondeve për familjet e dëshmorëve dhe për skamnorët.

Ramadan Muja, e ka drejtuar komunën e Prizrenit gjatë vitit të kaluar bash qysh ka dashtë vet. Këtë institucion lokal, Muja e ka futur në borxhe të mëdha, duke bërë shpenzime pa planifikime buxhetore. Sipas Auditorit të Përgjithshëm fondi i ndarë për paga dhe mëditje ishte 15,151,373 euro, ndërsa detyrimet e mbetura ishin 213,000 euro. Shpenzimet komunale ishin 804,028 ndërsa obligimet e papaguara ishin 97,167 euro, më shumë se ndarjet buxhetore, si dhe shpenzimet për subvencione dhe transfere , siç tregon Auditori kishin tejkaluar buxhetin në shumë prej 43,178 eurove.

“Sipas ekzaminimeve tona kemi vërejtur se komuna ka hyrë në obligime më shumë se ndarjet buxhetore. Këto shifra mund të jenë edhe më të larta bazuar në atë se gjatë vitit 2013 ishin paguar fatura të cilat nuk ishin prezantuar në PVF të 2012”, thuhet në raport.

Auditori po ashtu ka treguar se në komunën e Prizrenit kanë udhëtuar zyrtaret pa pasur asnjë agjendë. Ky fakt kishte ndodhur në dy raste.

“Me rastin e ekzaminimit të dy pagesave njëra në shumë prej 9,983 euro dhe tjetra në shumë prej 2,772 euro , kemi vërejtur se pagesat janë bërë në emër të udhëtimit, përkatësisht vizitave në Shqipëri. Ne nuk kemi gjetur agjendën për këtë pjesëmarrje të 67 zyrtarëve komunalë si dhe vendimin për arsyeshmërinë e këtij udhëtimi. Pagesa e dytë ishte bërë në emër të 14 grave të komunës për nder të festes së 8 marsit”, thuhet në raport duke treguar se zyrtarët e komunës nuk ishin në gjendje të dëshmonin se shpenzimi për këtë aktivitet ishte i arsyeshëm.

Në komunën e Prizrenit, sipas Auditorit ka edhe personel arsimor jashtë listës së pagave. Kjo siç tregohet ne raport ka ndodhur me 21 persona.

“Gjatë testimit të listës së të punësuarve në Arsim, kemi vërejtur se 21 të punësuar për punën e tyre nuk paguhen, ndonëse kishin kontratë pune. Këta të punësuar nuk figuronin në regjistrin e pagave. Stafi arsimor nuk realizon të drejta në paga për kontributet e dhëna”.

E, përveç kësaj komuna e Rmadan Mujës ka hyrë në obligime të papaguara për paga në QKMF dhe Arsim. Sipas Auditorit shuma totale e obligimeve të papaguara për paga dhe kompensime në fund të vitit ishte 213,000 euro . Nga kjo shumë 175,823 euro i takojnë sektorit të arsimit ndërsa pjesa tjetër prej 35,000 euro sektorit të shëndetësisë.

Auditori ka treguar në raport po ashtu se gjatë vitit 2013 në Prizren ka pasur edhe mos përputhje e pagave me kontratë.

Sipas Auditorit disa të punësuar kishin marr paga më shumë se sa kishin të caktuara në kontrata.

“Me rastin e testimit të 14 dosjeve të personelit kemi gjetur se te tre kontrata ekziston një mospërputhje në mes pagës sipas kontratës dhe pagës në sistemin e payrollit. Te dy të punësuar kemi gjetur se për 12 muaj të vitit 2013 ishin paguar më tepër për 576 euro , ndërsa te i treti i punësuar për 7 muaj sipas payrollit ishte paguar 364 euro më shumë se paga e kontraktuar. Ne nuk kemi gjetur ndonjë vendim për ndryshimin e pagës, përkatësisht rritjen e koeficientit për këta 3 të punësuar”.

Edhe furnizimi para nënshkrimit të kontratës nuk kishte munguar në komunën e Ramadan Mujës. Bile kjo ishte përsëritur disa herë. Sipas Auditorit komuna si subvencion ka ndarë pako me ushqime për stafin e vetë pa ndonjë bazë të qartë ligjore.

“Vlera e kontratës që ka nënshkruar Komuna për furnizim me pako ushqimore është 42,900 euro. Ne kemi gjetur listën me nënshkrime prej 436 punëtoreve, por nuk kemi mundur të verifikojmë artikujt dhe vlerat e furnizimit për secilin punëtor. Përzgjedhja e EO është bërë pa procedura të prokurimit, dhe për më tepër, është përzgjedhur kompania e cila i ka borxh komunës për qiranë e tokës.

Bazuar në vendimin e kryetarit më 16.10.2013, ishte financuar Klubi Futbollistik ‟Liria” në vlerë 15,000 euro. Përveç pagesës dhe vendimit nga kryetari për këto mjete, klubi nuk kishte paraqitur asnjë dokument si kërkesë, profaturë, planifikim të shpenzimeve apo listë pagash.

Ne një rast është vërejtur se ishte paguar shuma prej 14,799 euro në emër të furnizimit me dru për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës duke mos bashkangjitur kërkesën dhe regjistrin e përfituesve.

Me rastin e testimit të dy pagesave njëra në shumë prej 12,239 euro dhe tjetra në shumë prej 11,299 euro , kemi vërejtur se pagesat ishin bërë në bazë të furnizimit me material ndërtimor për raste sociale. Ne nuk na është ofruar regjistri i përfituesve me material ndërtimor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat