Dorëzohet Sami Lushtaku

Kosova

Dorëzohet Sami Lushtaku

Më: 20 maj 2014 Në ora: 15:23

(I plotësuar) - Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku dhe të tjerët janë dorëzuar. Raportohet se Lushtaku së bashku me të dy të dyshuarit tjerë, Sahit Jashari e Ismet Haxha janë shoqëruar nga Policia e Kosovës për në Burgun e Dubravës.
Pritet që sot ata të shkojnë në sallën e gjyqit në veri të Mitrovicës, kur pritet të fillojnë seancat ndaj tyre nën dyshimin për krime lufte.

Zyrtare: EULEX lëshon urdhër arrest për “Grupin Drenica”

EULEX e konfirmon se kanë lëshuar urdhër arrest për tre të pandehurit e “Grupi Drenicës”, Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha.

Zyrtarë të EULEX-it bëjnë me dije se është lëshuar urdhër arresti por nuk flasin se për në cilin burg do i dërgojnë.

* * * * * *

Mërgimi Lushtaku, i biri i Sami Lushtakut ka dal me një deklaratë për media duke thënë se nuk është në dijeni për urdhër arrestin e lëshuar për babanë e tij dhe bashkëluftëtar e tjerë.

Ai tha se nëse urdhër arresti kërkon që Sami Lushtaku të vendoset në burgun e Dubravës, kjo gjë nuk do të kundërshtohet, megjithëse duhet një trajnim mjekësor më i mirë. Ndërsa për dërgimin në qendrën e paraburgimit në veri, tha se kjo gjë do të kundërshtohet.

Ai gjithashtu ka falendëruar organizatorët e protestës dhe ka paralajmëruar se familjarët e tij, do të vazhdojnë të qëndrojnë në QKUK, bashkë me gjithë të tjerët të cilët duan të presin deri sa të merret një vendim në të mirë të shtetit.

Ndërsa në QKUK edhe pse organizatori i protestës lajmëroi për shpërndarjen e protestës, qytetarë, veteranë dhe familjarë të Lushtakut vazhdojnë akoma të jenë në oborrin e QKUK-së.

Gjykata kërkon arrestimin e Lushtakut dhe të tjerëve, do t’i dërgojë në Dubravë

Gjykata ka lëshuar fletarrest për të arratisurit Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha dhe kërkon dërgimin e tyre në Burgun e Dubravës. Seanca ndaj të akuzuarve që e përbëjnë këtë grup ka filluar sot paradite, por në të janë paraqitur vetëm katër të akuzuar, ndërsa tre të tjerë konsiderohen se ndodhen në arrati. OVL e UÇK-së pas këtij lajmi ka ndërprerë protestën para QKUK-së.
Gazetari i Gazetës Jeta në Kosovë nga seanca ndaj “Grupit të Drenicës” e cila po mbahet në objektin e Gjykatës në Mitrovicën e Veriut, raporton se gjykata ka lëshuar fletarrest për të arratisurit Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha me të cilin kërkon dërgimin e tyre në Burgun e Dubravës.
Pas këtij zhvillimi, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së njoftoi me anë të një komunikate se ka ndërprerë protestën në oborrin e QKUK-së.
“OVL të UÇK-së ka përmbyllur protestën për sot, por do të vazhdojë të jetë në përcjellje të situatës dhe do të ju njoftojë me kohë për veprimet e mëtutjeshme”, thuhet në komunikatë.

Veteranët: Protesta vazhdon

Ndërsa, Kryetari i OVL-UÇK-së, Smajl Elezi, sërish ka dal me një deklaratë ku bënë me dije se do të vazhdojnë të qëndrojnë në protestë, derisa të ketë një vendim pozitiv.
Ai tha se akoma nuk kanë asnjë informatë për seancën gjyqësore në Mitrovicë.
Ndërsa, Mërgim Lushtaku, i biri i Samiut, u bëri thirrje protestuesve që të vazhdojnë të qëndrojnë të qëndrojnë brenda oborrit të kardiologjisë.

Policia e Kosovës në kërkim të Sami Lushtakut

Që nga orët e hershme të mëngjesit numri i protestuesve pranë QKUK-së vazhdon të rritet. Ata vazhdojnë të insistojnë se Sami Lushtajku, Sahir Jashari dhe Ismet Haxha duhet të gjykohen në Prishtinë dhe jo në veri të Mitrovicës.
Protestuesit po e quajnë vendim arbitrar, derisa familjarët vazhdojnë të thonë se Lushtaku gjendet brenda.

Ndërsa, Kryetari i OVL-UÇK-së, Smajl Elezi, në një deklaratë para mediave, tha se ende nuk e dinë se çka do të ndodh më tutje.

“Qëllimi i kësaj proteste sot është që mos të mbahet gjykimi në veri të Mitrovicës për komandantët tanë. Ne kemi ardhur që të pamundësojmë arrestimin e tyre, nuk ka siguri në veri të Mitrovicës. Kemi kërkuar që tri ditë që të tërhiqet ai vendim por nuk është tërhequr. Shkaku që nuk është tërhequr, ta pamundësojmë arrestimin e tyre, ne kemi ardhur në përkrahje të tyre dhe të familjarëve të tyre. Nuk është e vërtetë sipas familjarëve që ata janë të arratisur, janë këtu, por nuk janë të gatshëm, për t’iu paraqitur EULEX-it, sepse ka qenë vendim i padrejtë, pasiguria është shumë e lartë sepse ju e dini që në burgjet në veri kanë ndodhur gjëra të këqija dhe ka zgjidhje tjera në pjesën tjetër të Kosovës”, tha Elezi.

Edhe vajzat e Sami Lushtakut e të Sahit Jasharit po qëndrojnë në turmë, ku kanë të veshura edhe uniforma të UÇK-së.

Ndërsa, pjesëtarë të njësisë speciale po qëndrojnë prapa Klinikës Infektive pa ndonjë lëvizje drejt turmës.

Ekipi i KosovaPress-it që po qëndron që nga orët e hershme të mëngjesit të Klinika e Kardiologjisë, kanë parë edhe lëvizje të deputetëve të PDK-së, një nga ta është edhe Ganimete Musliu.

>>Thaçi hesht për “Grupin Drenica”

>>Kuçi: EULEX-i nuk garantoi siguri për ‘Grupin Drenica’ prandaj s’u transferuan

>>Ambasadori i Gjermanisë: Rasti Lushtaku më së miri dëshmon pse u krijua Gjykata Speciale

>>LDK: Në rastin e “Grupit të Drenicës” Policia po mbahet peng

Policia e Kosovës në kërkim të Sami Lushtakut, jashtë QKUK-së

Policia e Kosovës, referuar informacioneve të pranuara lidhur me arratisjen e disa personave të quajtur ‘Grupi i Drenicës’ nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), menjëherë ka ndërmarrë veprimet e nevojshme policore për kërkimin e tyre.

Lidhur me këtë rast janë kontaktuar edhe personat kompetentë të institucioneve relevante të Prokurorisë, QKUK-së dhe Shërbimit Korrektues, të cilët kanë qenë përgjegjës në sigurimin e tyre, duke përfshirë edhe stafin i cili ka qenë në detyrë.

Lidhur me rastin në fjalë Policia e Kosovës bazuar edhe në kërkesën për letër-rreshtim të Shërbimit Korrektues ka ndërmarrë masat e nevojshme policore, duke përfshirë edhe ato në vendkalimet kufitare, aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë dhe në momentin e hasjes të njëjtit do të dërgohen në burgun e Dubravës, konform kërkesës së letër-rreshtimit të Shërbimit Korrektues.

Njëkohësisht, Policia e Kosovës është duke menaxhuar edhe me protestuesit, të cilët gjenden tek QKUK-ja, me qëllim të sigurisë dhe krijimit të lëvizjes së lirë.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe zbatimit të ligjit si dhe dhënies së asistencës policore të gjitha institucioneve relevante.

Nis seanca e "Grupit të Drenicës" në Veri

Policia e EULEX-it para pak çastesh i ka dërguar në Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës 4 të pandehurit nga “Grupi i Drenicës”.

Ata janë, Sabit Geci, Sylejman Selimi, Avni Zabiti dhe Jahir Demaku. Ndërkohë që tre të arratisurit, Sami Lushtaku, Ismet Haxha dhe Sahit Jashari nuk janë paraqitur në gjykatë.

Gjygjtari Darius Sielitzcki pritet të merr vendimin se a do të filloj seanca pa praninë e tre të arratisurve.

Mobilizohen “Shqiponjat e Zeza”, nisen me autobusë drejt QKUK’së

Numri i protestuesve në mbrojtje të ‘Grupit Drenica’, që janë duke protestuar pranë QKUK-së po rritet. Aktualisht janë rreth 60 persona.

Burime të mediave bëjnë të ditur se minuta më parë andej është dukur edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu dhe Kamishi.

Ndërkohë, flitet që një numër i madh njerëzish nga Skenderaj janë nisur t’i bashkohen kësaj turme.

Protestuesit në QKUK në mbrojtje të ‘Grupit Drenica’

Dhjetëra protestues vazhdojnë të qëndrojnë në hyrjen e QKUK-së, ndërkohë që protestuesit kanë thënë për Kosovapress se pritet ardhja edhe e qindra protestuesve të tjerë, në mbrojtje të ‘Grupit Drenica’.

Pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës tashmë janë duke u grupuar jo te protestuesit por mbrapa Klinikës Infektive, në një parking të QKUK-së.

Misioni Ndërkombëtarë EULEX ka thënë dje së nuk do ndryshoj vendimin e gjykatës për dërgimin e të gjithë ta pandehurve që njihet si “Grupi Drenica” në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicën e veriutku për sot është caktuar seanca e parë dëgjimore e shqyrtimit kryesor në orën 09:30 në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Mobilizohen “Shqiponjat e Zeza”, nisen me autobusë drejt QKUK’së

Sipas informacioneve që janë marrë nga rrjeti social Facebook, e të cilat i ka transmetuar emisioni “Interaktiv” ka një organizim masiv në Skënderaj për t’u nisur për në Prishtinë, në mënyrë që qytetarët të kundërshtojnë transferimin e “Grupit të Drenicës” në burgun në veri.
Organizimi thuhet se po bëhet nga tifozët “Shqiponjat e Zeza” që përkrahin klubin “Drenica” që u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të mblidhen në sheshin “Adem Jashari” në Skënderaj.

Raportohet se në shesh janë edhe disa autobusë të cilët do të nisen për në Prishtinë.

EULEX tenton të marr “Grupin Drenica”, nuk lejohet nga përkrahësit!?

Pjesëtarë të EULEX-it kanë tentuar të marrin Sami Lushtakun, Ismet Haxhën dhe Sahit Jasharin, megjithatë ata janë ndaluar nga dhjetëra përkrahës të tyre të cilët kanë hyrë në objektin e Klinikës së Kardiologjisë.
Pas këtij reagimi nga ana e përkrahësve, katër pjesëtarë të EULEX-it janë larguar nga kjo klinikë.

“Ata tentuan të marrin me vete, por ne nuk i lamë”, ka thënë njëri nga përkrahësit, i cili deshi të mbetet anonim.

Kurse, në gjithë këtë “rrëmujë”, mediat nuk po lejohen t’i ofrohen kësaj klinike.

Ndërkohë, përkundër asaj që po flitet se EULEX ka tërhequr vendimin për transferimin në burgun e Mitrovicës Veriore, vetë EULEX- ka thënë se nuk ka tërhequr këtë vendim.

EULEX nuk heq vendimin per transferimin e 'Grupit Drenica'

Misioni i EULEX-it nuk është tërhequr nga zbatimi i vendimit për transferimin në burgun e Mitrovicës veriore për Sami Lushtakun, Ismet Haxhën si dhe Sahit Jasharin.

Zëdhënëesi i EULEX-it, Blerim Krasniqi ka pohuar për 'Bota sot' se vendimi për transferimin e 'Grupit Drenica' ne burgun e Mitrovices në veri, është ende në fuqi.

Mergim Lushtaku: Ata janë në QKUK, nuk lejojmë t’i dërgojnë në veri

Djali i Sami Lushtakut, Mergim Lushtaku thotë për ‘Bota sot’ se Sami Lushtaku dhe të tjerët ndodhën në QKUK.

Ai thotë se nuk do ta lejojnë askënd të hyjë dhe t’i marrë ata derisa të ndryshohet urdhëresa për t’i dërguar në veri.

‘Ne kemi treguar se të gjithë janë këtu në QKUK! Dhe ne nuk po i lëmë askënd të hyjë dhe t'i marr deri në ndryshimin e urdheresës për dërgim të tyre në Veri të Mitrovicës’, thotë Lushtaku.

Lushtaku, Haxha dhe Jashari nuk janë në QKU. EULEX- i mohon negociatat me të pandehurit
Ushtruesi i detyrës së komisarit të burgjeve në Kosovë, Shemsi Hajrizi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se deri sot, e mërkurë, "nuk ka ndonjë raport tjetër zyrtar përveç atij që është publikuar të martën se tre personat e paraburgosur, Sami Lushtaku, Ismet Haxha dhe Sahit Jashari, nuk gjenden në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës".

Që të tre, të dyshuar për krime lufte, gjendeshin për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, nën kujdesin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Përfaqësues të këtij Shërbimi kishin njoftuar zyrtarisht se të dyshuarit, ishin arratisur në orët e para të pasdites të ditës së martë, 20 maj 2015.

Ky veprim i tyre mendohet të ketë qenë rezultat i mospajtimit për t'u transferuar në qendrën e paraburgimit në Mitrovicën e Veriut, duke qenë se procesi gjyqësor ishte paraparë të fillojë më 22 maj 2015, në Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës.
Por, Misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ka mohuar se është duke zhvilluar negociata.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Miguel Carvahlo de Faria, zëdhënës në këtë mision ka thënë se EULEX-i, "si reagues i dytë, po e mbështet Policinë e Kosovës lidhur me situatën e krijuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)".

"Autoritetet e Kosovës janë duke e zbatuar vendimin e gjykatës, ndërsa asnjë prokuror nuk është duke negociuar me të pandehurit. EULEX-i do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha autoritetet e Kosovës në mënyrë që të i vihet fund kësaj situate”, ka thënë zoti Carvahlo.

Ndryshe, të tre këta janë pjesë e lëndës së njohur si Grupi i Drenicës, në përbërje të të cilit janë pesëmbëdhjetë persona.

Ndaj tyre, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur më 8 nëntor të vitit të kaluar aktakuzë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, nën dyshimet se kanë “kryer krime lufte kundër popullatës civile, përfshirë tortura, keqtrajtim të të burgosurve, dhe vrasje”, të cilat supozohen të jenë kryer në një qendër paraburgimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Likoc të komunës së Skënderajt, në vitin 1998.

Edhe Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX, ka konfirmuar të martën se Shërbimi korrektues i Kosovës ia ka konfirmuar gjykatësit të rastit, arratisjen e tre prej 7 të pandehurve, të njohur si “Grupi i Drenicës”, të cilët ishin në paraburgim.
Zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se të pandehurit kanë qenë nën mbikëqyrjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Më herët, sipas Krasniqit “gjykatësi ka dhënë urdhër që të pandehurit të transferoheshin në Qendrën e paraburgimit në Mitrovicë, vetëm në ditët kur duhej të zhvillohej gjykimi në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, e cila është përgjegjëse për rajonin ku dyshohet se janë kryer krimet nga të pandehurit”.
Krasniqi ka shtuar se gjykata ka kërkuar nga Policia e Kosovës dhe Shërbimi korrektues i Kosovës që t’i sjellin të pandehurit në gjykatë, me 22 maj, për kur është paraparë seanca e parë e shqyrtimit kryesor.
Për gjetjen dhe sjelljen në gjykatë të arratisurve, sipas Krasniqit, janë të obliguar Policia e Kosovës dhe Shërbimi korrektues i Kosovës.

Ministria e Brendshme e Bajram Rexhepit nis operacionin "Unaza e çeliktë" kundër Sami Lushtakut
Avokatja e Sami Lushtakut, Luljeta Gjinovci dhe i biri i tij Mërgim Lushtaku si dhe një anëtare e ekipit mbrojtës të tyre, kanë dalë para pak çastesh para mediave dhe kanë demantuar lajmin se Sami Lushtaku dhe dy të tjerët, Ismet Haxha dhe Hisni Thaqi, janë arratisur.

Thonë se ata gjinden brenda në QKUK, ndërsa për protestën thonë se është bërë në kundërshtim të transferimit të ushtarëve të UÇK-së në veri.

Avokatja dhe i biri i Lushtakut, thanë se në atë pjesë ata ndihen të pasigurt, ngase e gjithë ai vend udhëhiqet nga serbët, andaj kërkojnë që paraburgimi tu vazhdohet në Prishtinë.

* * * * *
Policia e Kosovës ende nuk po jep ndonjë deklaratë sa i përket arratisjes apo jo të Sami Lushtakut se bashku me dy shokët e tij nga Grupi i Drenicës. E familjarët thonë se ai nuk është arratisur. KoosvaPress, raporton se protestuesit vazhdojnë të qëndrojnë në hyrjen e repartit të kardiologjisë dhe nëpër korridore.

E pjesëtarë të Policisë së Kosovës, nuk duket të jenë këtu për të zbrazur hyrjen e klinikës. Edhe pse orë më parë Sokol Zogaj, zv/drejtor i përgjithshëm për operativ dhe siguri, i ka thënë KosovaPress-it se Lushtaku është arratisur.

Më parë i biri i Sami Lushtakut, Mergimi tha se do të prononcohet së bashku me avokatin e tij, por ai nuk po e bënë një gjë të tillë.

-Policia e Kosovës nga ora 14.30 të pasdites, kanë marrë urdhër, që të krijojnë ‘Unazën e çeliktë’, e cila krijohet në të gjitha daljet e qytetit.

Kësaj radhe ajo është bërë në kërkim të grupit të Drenicës, të cilët janë arratisur, nga Qendra Klinike Universitare, duke mos pranuar kështu, që të transferohen në burg, në veri të Mitrovicës.

Sipas burimeve të KosovaPress, brenda policisë së Kosovës, Policia në këtë lloj aksioni, po ndalon çdo veturë të dyshimtë dhe çdo automjet të madh, ku ekziston mundësia të fshihen njerëzit.

Aksioni i policisë po vazhdon ende, në kërkim të grupit të Drenicës.

Protestuesit futen në klinikën ku qëndronte i arratisuri Lushtaku

Protestuesit që kanë kundërshtuar transferin e Grupit të Drenicës kanë hyrë në klinikën ku kanë qëndruar ata.

Protestuesit të cilët kundërshtonin transferimin e Sami Lushtakut, Sahit Jasharit dhe Ismet Haxhës apo pjesëtarët e të ashtuquajturit ‘Grupi i Drenicës’, në burgun serb të Mitrovicës, tashmë kanë hyrë në objektin e Radiologjisë përkatësisht pranë dhomës ku sipas tyre gjendej Sami Lushtaku, njofton Kosovapress.

Me të provuar gazetarët të futen brenda, ata i kanë dëbuar duke mos i lënë as të qëndrojnë në korridor e as të filmojnë.

Zyrtare: Arratiset Grupi i Drenicës nga QKUK
Drejtori i Sherbimit Korrektues, Shemsi Hajrizi, ka konfirmuar, se tre veta nga Grupi i Drenicës janë arratisur nga QKUK.

Policia e Kosovës nuk ka informatë zyrtare nëse Sami Lushtaku dhe të tjerë janë arratisur nga QKUK

Baki Kelani, zëdhënësi i PK-së, ka deklaruar se Policia e Kosovës nuk disponon ndonjë informacion zyrtar, lidhur me këtë çështje.

Më herët është tensionuar situata në Qendren Klinke Universitare të Kosovës, ku janë të shtrirë të paraburgosurit, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Ismet Haxha... apo pjesëtarët e të ashtuquajturit Grupi i Drenicës.

Burime të mediave thonë se ata po refuzojnë të transferohen në Burgun e Mitrovicës, i menaxhuar nga serbët.

Dje, Gjykata vendosi t’i dërgoje ata në Veri të Kosovës.

Njerëz të afërt me ish-komandatët e njohur të luftës, kanë thënë se ata nuk dëshirojnë të shkojnë në këtë burg të menaxhuar nga serbët.

"Ekziston rreziku se ata nuk do të dalin të gjallë nga ai burg, pasi që serbët menaxhojnë tërësisht këtë burg", ka thënë burimi.

Merret vesh se Ministria e Drejtësisë dhe vetë Hajredin Kuçi kanë qenë në bisedime me EULEX-in dhe kanë në dijeni se Grupi i Drenicës do të tranfesoret më Veri me vendim gjykate.

Nga Grupi i Drenicës, jashtë QKU-së, aktualisht ndodhet Sylejman Selimi. Ai dje është dërguar në Dubravë.

Policia nuk e gjen Sami Lushtakun në QKUK

Në këto momente është hera e parë që policia po hyn në dhomën ku thuhet që është Sami Lushtaku

Disa zyrtar të lartë të policisë (me këmisha të bardha) kanë biseduar mes vete duke thënë se Sami Lushtaku nuk qenka në dhomë.

Ata tash kanë shkuar për kontroll në këtë dhomë që është në kardiologji, njësia koronare. Mediat nuk janë lejuar të futen brenda.

Policia ka vazhduar kërkimet edhe në spitalin e syve, por pa sukses. As aty nuk ishte Lushtaku dhe të tjerët. As polici që ka qenë kujdestar për t’i ruajtur grupin Drenica, nuk po gjendet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat