Ahmeti në Podujevë, ironizon Veliun për ujin

Lajme

Ahmeti në Podujevë, ironizon Veliun për ujin

Më: 23 prill 2014 Në ora: 23:34

Lëvizja Vetëvendosje! mbajti tubim në Besianë, ku u fol për situatën aktuale e politike në Kosovë dhe alternativën e tyre qeverisëse. Në tubim morën pjesë Aida Dërguti (nënkryetare), Visar Ymeri (drejtues i Grupit Parlamentar), Shpend Ahmeti (kryetar i Komunës së Prishtinës) dhe Albin Kurti (kryetar i Lëvizjes).
Tubimin e hapi Fahri Restelica, koordinator i grupit punues të Qendrës së VV-së. Dërguti, duke treguar se VV shënon 9-vjetorin e themelimit së shpejti, tha se saktësia e analizës politike ka qenë njëra ndër veçoritë që e kanë dalluar nga të tjerët. Ajo tha se programi i tyre kërkon mbështetje të qytetarëve të cilët me një organizim të fortë mund ta jetësojnë fitoren e Lëvizjes në nivel qendror.
Ymeri tha se sot qe një ditë me zhvillime jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën, sepse Kuvendi i Kosovës miratoi themelimin e Gjykatës së veçantë për krime lufte në Kosovë. Ai tregoi se Lëvizja Vetëvendosje votoi kundër krijimit të kësaj gjykate, sepse krime lufte nuk kanë bërë shqiptarët me luftën e tyre çlirimtare, por Serbia me aparatin e saj shtetëror represiv.
"Sistemi gjyqësor i pavarur dhe sovraniteti i vendit nuk krijohet me misione të imponuara dhe me gjykata të padrejta", tha ai.
Ahmeti, pasi i përshëndeti të pranishmit, tha se është kënaqësi të jetë në Besianë, “pavarësisht se a e lëshon Agim Veliu ujin apo jo”.
"Fitorja në Prishtinë është aleanca jonë me qytetarët e jo me bizneset, jo me faktorin ndërkombëtar", tha Shpend Ahmeti, duke shtuar se në Kosovë nuk ekziston ndarja në mes Llapit, Drenicës e Dukagjinit, por ekziston ndarja në mes të keqes dhe të mirës, në mes të korruptuarve dhe të pasurve.
Në fund fjalën e mori Albin Kurti, i cili nënvizoi se Lëvizja Vetëvendosje është e bindur që varfëria dhe mos zhvillimi në Kosovë nuk janë pasojë e dembelizmit të qytetarëve, e tokës jopjellore, apo e nëntokës së varfër, por pasojë e qeverisjes së keqe e me orientim të gabuar. /Indeksonline/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat