Motrat edukatore, në grevë deri në realizim të kërkesave

Lajme

Motrat edukatore, në grevë deri në realizim të kërkesave

Më: 23 prill 2014 Në ora: 20:57

Motrat edukatore në çerdhet publike në kryeqytet kërkojnë ngritjen e pagave, pasi thonë se me 215 euro në muaj, nuk mund të përmbushin as për së afërmi nevojat jetësore. Nga sot ato kanë hyrë në grevë, ndërsa zgjidhje për momentin nuk ka. Mosngritja dhe nivelimi i pagave që nga viti 2008, e gjithashtu ndryshimi i koeficientit prej 4.8 në 5.5, dhe mosmarrja e pagës me koeficientin e ri, i kanë detyruar të hyjnë në grevë, motrat edukatore nëpër çerdhet publike në Prishtinë.

Paga e rreth 90 motrave edukatore për fëmijët e grupmoshave nga 1 deri në 3 vjeç, është 215 euro në muaj: “Pikërisht prej 2008-së, kur është bërë një rritje e pagave për edukatore e mësimdhënës neve nuk na kanë përfshirë fare aty, as nuk na kanë përfshirë në edukim me edukatore e as me staf shëndetësor sikurse që janë nëpër ambulanca se edhe ato i financon komuna”, theksoi Nexhibe Hoxha motër edukatore në çerdhen“Dielli” në Prishtinë.
“Ajo nuk është rrogë, ajo është ndihmë sociale. Bile me koeficientin 5.5 edhe me këtë rritjen 25 përqind mundemi me iu afruar një rroge mesatare. Për jetën në Kosovë, e dini edhe vet çfarë shpenzimesh ka”, deklaroi Gjyle Ibra, motër edukatore në të njëjtën çerdhe.
Kryetarja e Sindikatës së Institucioneve Parashkollore, Edona Berisha, thotë se kjo kategori e shoqërisë ka hyrë në sistemin e ngritjes së pagave, por në të vërtetë kjo ngritje nuk është realizuar asnjëherë.
“Kjo ngritje e pagave nuk ka ndodhur te motrat edukatore në vitin 2008, ashtu siç ka paraparë Qeveria e Kosovës. Ne duam të dimë dhe kërkojmë një përgjigje pse nuk është rritë paga e motrave edukatore”, tha Edona Berisha.
Ndërkaq, në takimin e zhvilluar në mes të përfaqësueseve të edukatoreve dhe SBASHK-ut me drejtorin e Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës, Jusuf Thaçi, u tha se Komuna nuk ka buxhet të mjaftueshëm për rritjen e pagave.
“Ne nuk kemi asnjë zbrazëtirë ligjore për të ndërmarrë diçka. E para nuk kemi mjete financiare për shkak se buxheti është i miratuar dhe tash buxheti nuk rishqyrtohet në këtë periudhë kohore. Ideja ka qenë bashkë me ministrinë me rregulluar çështjen e koeficientit”, vuri në pah drejtori i Arsimit në KK të Prishtinës, Jusuf Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat