Ujësjellësi “Prishtina” këmbëngul se uji është i pijshëm

Lajme

Ujësjellësi “Prishtina” këmbëngul se uji është i pijshëm

Më: 23 prill 2014 Në ora: 20:46

Vazhdojnë kontradiktat ndërmjet kompanisë rajonale të ujësjellësit `Prishtina` dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike lidhur me cilësinë e ujit. Zyrtarë të ujësjellësit thonë se uji i fabrikave është i pijshëm dhe se gjithçka është nën kontroll.

Duke pirë ujin që vjen nga Ujësjellësi Prishtina, kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Gjelosh Vataj, ka garantuar se uji që vjen nga liqeni i Batllavës dhe ai i Badovcit nëpërmjet ujësjellësit është i pijshëm dhe e marrin përgjegjësinë e plotë për këtë gjë. Ai thotë se nga fabrikat e dy liqeneve, nuk lëshohet ujë që nuk është i pijshëm.
“Edhe Instituti e thotë se ka qenë brenda normave të lejuara, por ka qenë ne nivelet afër asaj që mos të pihet. Në një moment edhe mund të ndodhi, e thash për shkak të ndërprerjeve në gypa, për shkak të ndërprerjeve të ujit, ka ndodh, ka qenë momentale ku është turbulluar, kur është lëshuar uji në atë moment ka mundur me ardhë i turbullt, edhe nuk ka qenë që nuk është i pijshëm, është i pijshëm sepse ka disa norma që lejohet deri kur uji i pijshëm me turbullira. Ka qenë brenda normave të lejuara me standardet që ne i përdorim, e dhe instituti i përdor”, deklaroi Gjelosh Vataj – kryeshef ekzekutiv i Ujësjellësit rajonal “Prishtina”.
E zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë nëpërmjet telefonit kanë thënë se qëndrojnë prapa njoftimit të lëshuar ditën e djeshme.
Por, ndryshe nga dje, ky Institut sot ka njoftuar se bazuar në rezultatet e monitorimit të ujit për pije në Prishtinë të bëra sot, turbullira rezulton brenda standardeve dhe uji nga ujësjellësi është i pijshëm. Sipas njoftimit, analiza e ujit bëhet çdo ditë në fazën aktuale deri në stabilizimin e situatës me ujë të pijshëm.
Vataj gjatë konferencës së sotme ka bërë të ditur se nga reshjet e fundit, niveli i liqenit të Batllavës është rritur për 7.6 metra, ndërsa ai i Badovcit për mbi 4 metra, derisa për shkak të turbullirave, prodhimi është zvogëluar për të pasur ujë kualitativ, duke bërë që edhe reduktimet të jenë më të gjata. Gjithashtu edhe Badovci nuk është duke u furnizuar nga Ujmani nga data 20 prill, sepse sipas Vatajt në kanalin e Ibër Lepencit ka erozion të dheut që ka rënë në kanal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat