Komuna nuk e zgjedh problemin e çerdheve

Lajme

Komuna nuk e zgjedh problemin e çerdheve

Më: 23 prill 2014 Në ora: 17:49

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jusuf Thaçi, u takua sot me të gjitha motrat edukatore greviste në të gjitha çerdhet publike në Prishtinë.

Ai ua sqaroi motrave edukatore situatën para së cilës jemi aktualisht, duke ua shpjeguar se këtë çështje nuk mund ta zgjidh Komuna e Prishtinës, për shkak se ka implikime direkte buxhetore.

Në një letër që ka dërguar Ministria e Financave më 28 mars 2014, thuhet se “Ligji mbi buxhetin nuk mund të ndryshojë si rrjedhojë e ndryshimit të listës së pagave dhe mëditjeve (ndryshimit të koeficientit, shtesave dhe kompensimeve të ndryshme), por listat e pagave dhe mëditjeve duhen përshtatur sipas Ligjit të buxhetit”.

“Parimisht pajtohemi për të pasur rritje të koeficientit, por kjo çështje nuk varet nga ne. Kryetari i Komunës e Prishtinës ka marrë përsipër që t’iu shkruaj letër kërkesë Ministrive përkatëse që ta sqarojnë këtë situatë, dhe në rast vendimi për rritje të koeficientit, të bëhet edhe alokimi i mjeteve financiare nga Ministria përkatëse” , u shpreh Thaçi.

Gjithashtu, Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Jusuf Thaçi, është takuar sot edhe më Këshillin Grevist, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Drejtori Thaçi ua shpjegoi të pranishmëve të njëjtat çështje, duke kërkuar nga ata koordinimin e hapave në vazhdim, deri në një përgjigje të qartë nga Ministritë përkatëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat