Vërshimet sjellin dëme në kulturat bujqësore

Lajme

Vërshimet sjellin dëme në kulturat bujqësore

Më: 23 prill 2014 Në ora: 16:26

Drejtuesit e Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në komunën e Mitrovicës, pas reshjeve të javës së kaluar, kanë vizituar fshatrat Frashër, Kçiq dhe Lisicë të komunës së Mitrovicës, për të vlerësuar situatën e përgjithshme, sa i përket dëmeve në sektorin e Bujqësisë në këtë komunë.
Ata kanë vlerësuar se pas rritjes së nivelit të ujit në lumin Sitnica, rreth 70 për qind e sipërfaqeve bujqësore të mbjella me kultura të ndryshme janë vërshuar.

Drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Veton Rexha, tha se këto vërshime kanë dëmtuar të mbjellat bujqësore rreth lumit “Sitnica”.

Sipas tij, ende nuk ka rezultate përfundimtare të dëmeve, por pas shikimit të situatës së përgjithshme, do të dihet edhe për to.

“Në fshatin Frashër janë vërshuar sipërfaqet e kultivuara me patate, grurë, misër dhe disa sipërfaqe të ngritura me serra, si edhe objektet përcjellëse të stallave. Në fshatin Kçiq nga vërshimet janë dëmtuar sipërfaqet e kultivuara me patate, grurë, dhe misër”, ka thënë Rexha, duke shtuar se edhe në fshatin Lisicë nga vërshimet janë dëmtuar sipërfaqet me kultura të ndryshme bujqësore dhe një vend bletishte.

Ai tha se drejtor ia që e udhëheq, në bazë të mundësive që ka, do t’ ju dalë në ndihmë këtyre fermerëve, ndërsa ditëve në vijim, komisioni për vlerësim do të vlerësoj gjendjen në përgjithësi të dëmeve që janë shkaktuar nga vërshimet në komunën e Mitrovicës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat