Transportuesit ilegal nën llupën e inspeksionit dhe Policisë

Lajme

Transportuesit ilegal nën llupën e inspeksionit dhe Policisë

Më: 23 prill 2014 Në ora: 11:36

Inspeksioni Komunal në Gjilan ka organizuar në mbështetje të Shërbimeve Publike dhe Policisë së Kosovës, një takim me transportuesit legal të udhëtarëve, ku të pranishëm kishte rreth 20 operator, me të cilët kanë bashkëbiseduar lidhur me sfidat që kanë ata gjatë operimit në komunikacion.

Me këtë rast Drejtori i Inspeksionit, Selver Xhelili, ka thënë se ky takim është organizuar për t’i informuar transportuesit legal për marrëveshjen e bashkëpunimit që do të nënshkruhet gjatë kësaj jave në mes të Komunës, Policisë së Kosovës dhe Gjykatës Komunale, për të ndërprerë
qarkullimin e taksive ilegal.

“Sot jemi në këtë organizim, për t’u informuar se së shpejti do të arrihet marrëveshje për monitorim të vazhdueshëm të pikave më të ndjeshme në qytet dhe në hapësirën tjetër urbane. Puna jonë do të jetë më efektive që nga 1 maji e tutje. Ilegalitetin në Gjilan nuk e tolerojmë më. Ndëshkime për mosrespektim të rregullave të veprimit do të ketë edhe për transportuesit legal. Dënimet do të jenë mandatore dhe shumë të larta. Ndërsa shqyrtimi i tyre nga ana e gjykatës do të tentojmë të jenë me prioritet”, ka thënë Xhelili, duke shtuar se si Komunë e janë të vendosur për rend dhe rregull.

Ai më tej ka thënë se operimi ilegal tashmë është bërë një dukuri, porse kjo do të merr fund gjatë ditëve në vijim, duke i informuar të gjithë se ky plan i veprimit nuk do të jetë për një kohë të shkurtër por do të vazhdoj për çdo ditë me kapacitete të plota, duke i angazhuar në këtë drejtim edhe përfaqësuesit nga drejtoria e Shërbimeve Publike por edhe nga sektor të tjerë të inspektoratit.

Ndërsa në anën tjetër zëvendës komandanti i trafikut regjional Agim Kqiku, ka thënë se Policia e Kosovës është në shërbim të respektimit të ligjit.

“Jemi duke vepruar në mënyrë permanente në rrugë rajonale dhe magjistrale. Qëllimi ynë është zbatimi i ligjit. Problem kemi më shumë me zonën urbane, me taksitë ilegal, por edhe me thyerjen e rregullave të disa operatorëve legal. Dënimet tash e tutje do të jenë të larta deri në vetëdijesimin e operuesve. Ilegaliteti do ta ndalim së bashku me inspeksionin, ndërsa shkeljet ligjore nga operatorët legal do të dënohen me dënime të rrepta. Angazhimi ynë nuk do të mungoj, sepse kjo është detyrë e jona”, ka thënë ai .

Ndërsa, Jakup Berisha, në emër të operatorëve legal në Gjilan, ka thënë se kërkesë imediate e shumicës së operatorëve është ndalimi i operimit ilegal.

“Problemi më i madh për ne është ilegaliteti i taksive në Komunën e Gjilanit. Jemi të bindur që pas bashkëpunimit të Komunës me institucionet e rendit dhe të drejtësisë, por edhe me bashkëpunimin tonë, do të ndryshojmë gjendjen në kuadër të zbatimit të ligjit. Sot taksitë ilegal marrin udhëtarët nga dyert e autobusëve. Kemi parkimin e taksive ilegal në vendin e rezervuar për ndalim të autobusëve por edhe shumë probleme. Gjithashtu në rast se thehen rregullat nga operatorët legal edhe ata të ndëshkohen”, ka thënë ai.

Ndryshe, në Komunën e Gjilanit kemi mbi 350 taksi dhe operator të mëdhenj që janë të legalizuar në Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Gjilan. Ndërsa, nga të pranishmit është vlerësuar se problemi më i madh paraqitet në rrugën e Prishtinës, Ferizajit, Preshevës dhe Bujanocit, por edhe në shumë pika të tjera brenda zonës urbane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat