Tejkalohet kriza e madhe për ujin e pijshëm

Lajme

Tejkalohet kriza e madhe për ujin e pijshëm

Më: 21 prill 2014 Në ora: 22:16

Niveli i dy liqeneve, të Batllavës dhe atij të Badovcit është rritur për disa metra. Zyrtarë të Ujësjellësit Rajonal `Prishtina` thonë se tashmë kriza e madhe për ujin e pijshëm është tejkaluar për këtë vit.

Por, bëhet e ditur se nga sot ka filluar të çrregullohet furnizimi me ujë të pijshëm pasi janë shfaqur turbullira tek liqenet dhe se këto reduktime po bëhen edhe për ta ruajtur kualitetin e ujit të pijshëm. Pas reshjeve të ditëve të fundit, niveli i dy liqeneve, të Batllavës dhe atij të Badovcit është rritur për disa metra. Sipas zëdhënëses së Ujësjellësit rajonal “Prishtina” Arjeta Mjeku, tashmë kriza e madhe për ujin e pijshëm është tejkaluar për këtë vit.

Derisa në liqenin e Batllavës niveli i ujit është rritur për afro 7 metra pas reshjeve të fundit atmosferike, për Badovcin sipas zyrtarëve të Ujësjellësit Rajonal “Pristhina” do të dihet nesër pasi të bëhen matjet gjeodezike.

Por, pavarësisht kësaj, sipas Mjekut, nga sot ka filluar të çrregullohet furnizimi me ujë të pijshëm pasi janë shfaqur turbullira tek liqenet dhe krahas reduktimeve të deritashme do të ketë edhe 3­4 orë reduktime shtesë në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes, dhe kjo po bëhet edhe për ta ruajtur kualitetin e ujit të pijshëm.

`Në liqenin e Batllavës e kemi zvogëluar prodhimin në 350 litra në sekondë, dhe në Badovc në 250 litra në sekondë. Aktualisht në Badovc jemi duke punuar me dy pompa, gjendje e cila mund të ndryshojë. Reduktimet e ujit për të gjithë ata që furnizohen nga këto dy liqene do të ndihen në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes ku uji do të vijë më vonë dhe do të ndalet më herët. Me gjithë këtë zvogëlim të prodhimit, do të mundohemi të bëjmë shpërndarje sa më të barabartë të ujit për të gjithë konsumatorët. E gjithë kjo që po ndodh është si pasojë e shfaqjes së turbullirës së ujit në liqenet akumuluese dhe që ta ruajmë kualitetin e ujit të pijshëm,` thotë Arjeta Mjeku ­ zëdhënëse e Ujësjellësit Rajonal `Prishtina`

Mjeku ka thënë se nëse do të jetë koha e mirë, atëherë turbullirat do të hiqen për afro një javë por nëse do të ketë sërish reshje atëherë kjo gjendje do të kërkojë më shumë kohë. Duke kërkuar mirëkuptim nga qytetarët, Mjeku ka kërkuar shpenzim sa më racional të ujit nga qytetarët ndonëse siç ka thënë është tejkaluar kriza për këtë vit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat