Bomba në shtëpinë e nënkryetarit të PDK-së

Lajme

Bomba në shtëpinë e nënkryetarit të PDK-së

Më: 21 prill 2014 Në ora: 13:16

Dy bomba dore janë hedhur të shtunën mbrëma në oborrin e shtëpisë së kryetarit të nëndegës së PDK-së, Avdi Bufaj, në fshatin Llukë të Deçanit.
Bombat për fat nuk kanë eksploduar ndërsa autorët e hedhjes së tyre ende janë të panjohur për organet e rendit.

Burimet e Indeksonline brenda policisë kanë thënë se, hetuesit kanë dalë në vendin e ngjarjes por deri sot nuk kanë arritur të identifikojnë ndonjë person të dyshuar.

Indeksonline ka tentuar sot të kontaktoi edhe me zëdhënësin rajonal të Policisë në Pejë, për të marrë një deklaratë zyrtare përkitazi me këtë ngjarje, por një gjë e tillë ishte e pamundur.
Rastin e hedhjes së bombave në oborrin e shtëpisë së nënkryetarit Bufaj e ka dënuar edhe Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Deçan.

“Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Dega në Deçan njofton se në mesnatën e datës 19.04.2014 në shtëpinë e kryetarit të nëndegës së PDK-së në fshatin Llukë e Ulët, z. Avdi Bufaj, janë hedhur dy granata dore dhe për fat të mirë nuk kanë eksploduar. Familja e z. Bufaj është në gjendje të mirë. Ky akt kriminal ka shqetësuar familjen dhe gjithë qytetarët e komunës së Deçanit. Dega e PDK-së në Deçan e dënon këtë akt kriminal dhe kërkon ndriçimin e këtij rasti nga hetuesia e organeve të rendit publik”, është thënë në komunikatën e Degës së PDK-së në Deçan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat