Reshjet e shiut, frikë në Vushtrri për përmbytje të reja nga lumejtë

Lajme

Reshjet e shiut, frikë në Vushtrri për përmbytje të reja nga lumejtë

Më: 21 prill 2014 Në ora: 09:59

Reshjet e pandërprera të shiut në territorin e komunës së Vushtrrisë kanë rritur në masë të madhe nivelin e ujit të lumenjve dhe përronjve dhe për pasojë janë përmbytur qindra sipërfaqe të tokave, oborre dhe bodrume të shtëpive. Për shkak të kësaj gjendjeje, komuna e Vushtrrisë ka shpallur gjendjen e emergjencës.
Bahri Bivolaku, zëdhënës i komunës së Vushtrrisë, tha se uji ka dalë nga shtrati i lumit “Silnica” dhe ka përmbytur sipërfaqe të mëdha të tokës bujqësore, në Prelluzhë, Nadakovc, Pestovë, Druar, ndërsa uji nga përroskat ka vërshuar toka bujqësore në Stanovc, Dumnicë, Maxhunaj, Mihaliq, Studime dhe Begaj. Dëmet, sipas Bivolakut janë të mëdha.
“Shtabi i gatishmërisë emergjente komunale në vazhdimësi është duke e mbikëqyrur gjendjen nga vërshimet. Të dielën në orët e mëngjesit është inspektuar i tërë territori, ndërsa në lokacionet ku ka pasur mundësi është intervenuar në sanimin e gjendjes. Në fshatin Stanovc, dy familje janë evakuuar nga shtëpitë e tyre”, tha Bivolaku.
Sipas zëdhënësit Bivolaku, për dallim nga nata e së shtunën, kur përronjtë në fshatra kanë vërshuar dhe bllokuar rrugë, të dielën gjendja duket të jetë shumë më e mirë, si në Studime, Samadrexhë, Vernicë.
“Brengosëse është rritja e vazhdueshme e lumenjve “Silnica” dhe e “Llapit”, të cilat kanë vërshuar qindra hektarë tokë bujqësore, madje në fshatin Mihaliq, “Silnica” ka dalë edhe në rrugë që lidh banorët e fshatrave të Artakollit. Uji që ka dalë nga shtrati i lumit “Silnica” ka hyrë edhe në katër shtëpi, në të hyrë të fshatit Prelluzhë, dhe këtyre familjeve u është vështirësuar qarkullimi”, ka njoftuar Bivolaku.
Sipas tij, ekipet emergjente komunale kanë angazhuar ekipe me mekanizëm adekuat për sanimin e gjendjes, në Prelluzhdë dhe Samadrexhë.
“Shtabi i gatishmërisë emergjente, për shkak të sigurisë dhe rrezikshmërisë ka bllokuar rrugën mbi urën në lumin “Silnica” në Pestovë. Ekipe emergjente, të drejtuar nga drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Nezir Klinka, ndodhen në gjendje gatishmëri 24 orë, duke përfshirë edhe kompanitë e angazhuara”, ka përfunduar zëdhënësi i komunës së Vushtrrisë, Bahri Bivolaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat