Gjendja e krijuar pas vërshimeve, raportohet të jetë e qetë

Lajme

Gjendja e krijuar pas vërshimeve, raportohet të jetë e qetë

Më: 20 prill 2014 Në ora: 22:37

Gjendja e krijuar pas vërshimeve që erdhën nga të reshurat e vazhdueshme të shiut, raportohet të jetë e qetë. Edhe kryeqyteti, por dhe shumë komuna të Kosovës kanë pësuar nga reshjet. Dalja e lumenjve nga shtretërit dhe shpërthimi i kanalizimeve, kanë shkaktuar dëme të mëdha në Komunën e Prishtinës, e veçmas në fshatrat e saj. Zyrtarë komunalë thanë se gjendja e tanishme është nën kontroll.
Tashmë që janë ndalur reshjet e shiut, kanë dalë në pah pasojat e vërshimeve të djeshme. Dalja e lumenjve nga shtretërit dhe shpërthimi i kanalizimeve, kanë shkaktuar dëme të mëdha në Komunën e Prishtinës, e veçmas në fshatrat e saj.
Kjo urë në fshatin Makovc është prishur tërësisht, e fshatarët kanë bërë zgjidhje të përkohshme për kalimin e saj.
Një prej familjeve me më së shumti dëme nga vërshimet është ajo e Mehedin Krasniqit. Atyre u është shkatërruar ahuri i bagëtive, si dhe i është dëmtuar shtëpia ku banojnë. Ai shpreson që institucionet komunale do t'i dalin në ndihmë.
"E unë jom ka priti, në mëshirën e tyre pra sa kanë mundësi, edhe me më ndihmu se jom mete në rrugë vet i shtati anëtar. Tash si pe shihni edhe vet, ja nisi shiu, spo e fajësoj kërkanin, si pe shihni, këtu dami katastrofë", tha ai.
Në terren gjatë ditës së sotme ishin edhe ekipet e Kryqit të Kuq, për të regjistruar dëmet dhe për të parë se si mund t'u dilet në ndihmë familjeve të dëmtuara.
"Për sa jemi duke vlerësu për momentin, Kryqi i Kuq i ka disa rezerva, disa batanije dhe dyshekë, dhe në bazë të nevojave mund ti përdorim ato. Mirëpo gjatë ditës, nëse na paraqiten nevoja shtesë, që ne nuk mund ti mbulojmë, atëherë Federata Ndërkomnëtare e Kryqit të Kuq mund të ndihmojë përmes apelit emergjente që ne e dërgojmë dhe mund të na ndihmojnë", theksoi Lirie Tolaj, Koordinatore e Programit të Menaxhimit të Fatkeqësive - Kryqi i Kuq.
Zyrtarë të Komunës së Prishtinës thanë se situata momentale është nën kontroll. Kryetari Shpend Ahmeti tha se gjatë ditës së djeshme është arritur të shpëtohen shumë banorë e prona private të rrezikuara dhe se puna e ekipeve është duke vazhduar edhe gjatë ditës së sotme. Sipas tij, posa të kalojë situata emergjente, do të krijohet një Komision për Vlerësimin e Dëmeve.
Ndërkohë, zyrtarë të Agjencisë së Emergjencave të Kosovës thanë se komunat më të prekura nga vërshimet janë ajo e Prishtinës dhe Gjilanit.
"Ne i kemi 5 qendra në territorin e Kosovës dhe sipas informacionin të tyre gjendja në terren është duke u stabilizuar jashtëzakonisht mirë. Të gjitha shërbimet komunale janë nëpër vendet e goditura dhe janë duke ofruar ndihmën sipas mundësive të cilat ato i poasedojnë për momentin", tha Mahir Hasani, Shef i Qendrës Operative Emergjente 112 për Rajonin e Prishtinës.
Ndërsa kryeshefi i Agjencisë së Emergjencave, Fadil Kodra, nëpërmjet telefonit tha se secila komunë ka një fond emergjent, ndërsa në nivel qendror nuk ka fond të emergjencave. Sipas tij, një Fond i tillë mund të krijohet vetëm me vendim të Qeverisë, në raste të katastrofave natyrore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat