Pavarësisht kushteve, minatorët e Trepçës punën e bëjnë me vullnet

Lajme

Pavarësisht kushteve, minatorët e Trepçës punën e bëjnë me vullnet

Më: 20 prill 2014 Në ora: 22:35

Pavarësisht problemeve të shumta me të cilat ballafaqohet, minatorët e Trepçës këtë punë e bëjnë me shumë vullnet. Ata madje kërkojnë investime më të mëdha në këtë gjigant, sidomos investime në makinerinë e punës. Sipas të dhënave të kësaj ndërmarrjeje, vitin e shkuar Trepça ka prodhuar 186 mijë tonë xeheror të plumb-zinkut.
Adem Zeka punon si minator në Trepçë që nga viti 80. Ai thotë se ndonëse vlerësohet si punë shumë e rëndë, punën e minatorit e bën me kënaqësi. Derisa tregon për kushtet e punës, ai thotë se duhen investime dhe blerje të reja të makinave.
“Ndjenjën e kom shumë të mirë, shumë të pasur për me punu si minator, vetëm me kon e mundshme me na ndihmuar pak qeveria edhe vet na pak me u ngrit e me mbajtë Kosovën, e jo si përpara që e kena mbajtë Beogradin. Kushtet për momentin nuk i kem aq të volitshme po me punu po punohet. Mirë është tu u punu. Kemi nevojë për disa mjete të reja për makina, për bartjen e xehes për ngarkimin, për shpim, për hulumtim”, tha ai.
Isuf Ferizi, ndryshe nga Ademi, punon që afro 3 vjet si mekanik në horizontin e 10-të. Ndonëse rreth 720 metra në thellësi të tokës, ai thotë se puna në minierë nuk është aq e rëndë. Edhe Isufi thotë se ka nevoje për mjete të reja për t'ua lehtësuar punën.
“Po jo edhe aq e rëndë qysh mendojnë njerëzit, kur mësohesh me këtë ambient nuk të doket shumë e rëndë. Kem nevoje, ka boll po kem nevojë çdo herë me ardhur mjete të reja”, tha ai.

Sipas të dhënave të Trepçës, vitin e shkuar ndërmarrja Trepça (pjesa jugore) ka prodhuar 186 mijë (186.000) tonë xeheror të plumb- zinkut. Nga kjo sasi xeherori, pas pasurimit janë përfituar 14 mijë e 500 (14500 ) tonë koncentrat.
Ndërkaq, në tremujorin e parë të këtij viti, nga minierat e Trepçës janë nxjerrë 45500 tonë xeheror, ndërsa, pas pasurimit të këtij xeherori, janë prodhuar afër 4000 tonë koncentrat. Të hyrat e përgjithshme të ndërmarrjes, për vitin 2013 kanë qenë rreth 10.600.000 euro (dhjetë milion e gjashtëqind mijë euro)
E për këtë performancë, rol kyç kanë minatorët për të cilët në disa raste, në rrethanat në të cilat punojnë, mund edhe të lëndohen, siç është rasti i këtij minatori.
Por, siç thonë zyrtarët e Trepçës, për fat të mirë nuk ka qenë ndonjë lëndim serioz, dhe pas 2-3 ditësh ai do të kthehet përsëri në punë.
Por, ky prodhim do të rritet në vazhdimësi dhe sipas menaxhmentit, Trepçës do t'i kthehet nami. E këto deklarata po vinë edhe pasi është miratuar në shqyrtim të parë Projektligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrje Publike, që përfshin Trepçën.
Trepçës do ti kthehet nami dhe dinjiteti që e ka pas, dhe ajo tashmë është në duar të minatorëve, Kështu po vlerësojnë delegacione të shumta të cilat po e vlerësojnë Trepçën, pas kthimit të saj në ndërmarrje publike. E menaxhmenti i Trepçës premton se do ta rris prodhimin dhe do ta bëjë promotor të zhvillimit të Kosovës këtë ndërmarrje.
E këto vizita po bëhen nga përfaqësues të bizneseve, udhëheqës partiakë si dhe qeveritarë. Këta të fundit kanë theksuar se Trepça nuk do të privatizohet e as nuk do të koncensionohet, por ajo do të jetë në duar të minatorëve dhe Kosovës, derisa zhvillimi i saj do të jetë në mënyrë vetjake nga vetë Trepça, e cila do të ngrihet në këmbë dhe do të jetë faktor kyç për zhvillimin e vendit. E menaxhmenti i saj ka paralajmëruar se shumë shpejtë do të punësohen edhe rreth 200 punëtorë. Se si dhe sa do të zhvillohet kjo ndërmarrje, tashme pothuajse publike, mbetet të shihet në vazhdim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat