Qendra e Deçanit: Alternativa e vetëvendosje-s është shërbim e llogaridhënie ndaj qytetarëve

Lajme

Qendra e Deçanit: Alternativa e vetëvendosje-s është shërbim e llogaridhënie ndaj qytetarëve

Më: 20 prill 2014 Në ora: 14:57

Sot në Deçan, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë prezantimin e Alternativës Qeverisëse dhe hapave kryesorë të realizimit të saj. Në tubimin e organizuar enkas për këtë rast, kanë marr pjesë kryetar i Lëvizje Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetar i grupit parlamentar Visar Ymeri dhe sekretar organizativ, Dardan Molliqaj.
Lideri I Lëvizjes së Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se Alternativa Qeverisëse e Lëvizjes Vetëvendosje është alternativë e të gjitha qeverisjeve pas luftës, si shërbim për qytetarët dhe duke iu dhënë llogari atyre. Në këtë rast, Kurti foli për 11 temat e përzgjedhura, si hapa kryesorë për zbatimin e saj, dhe ka thënë se tatimi progresiv është tatim i drejtë, sepse nuk pasurohet vendi duke i tatuar të varfrit.
Poashtu ai ka thënë se me qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje parashihet ulja e tatimit për ata që paguhen më pak se 500 euro, zero tatim për ata që paguhen më pak se 170 euro dhe të ardhurat mbi 1700 euro të tatohen me 30 për qind.
“Të gjithë e dimë që ridistribuimi shkon prej lartë poshtë, ndërkaq demokracia shkon prej poshtë lartë. Në Kosovë e kemi të kundërtën. E kemi ridistribuimin prej poshtë lartë, që në fakt nuk është ridistribuim por koncentrim, dhe e kemi demokracinë prej lartë poshtë, që do të thotë se nuk është demokraci por diktaturë”, ka thënë Kurtii.

Gjithashtu Kurti ka paralajmëruar se me qeverisjen e VV, tvsh-ja do të jetë zero për bukën, vajin, kripën, sheqerin, miellin, qumështin dhe librat, që do të thotë se gjithë këta artikuj bazik do të lirohen. Kurti gjithashtu foli edhe për rimëkëmbjen e industrisë prodhuese, të drejtat e punëtorëve dhe organizim sindikal, bujqësi të fortë që zëvendëson importet, arsim pa pagesë dhe i lidhur me ekonominë, sigurime shëndetësore publike, rritje e pensioneve si solidaritet midis gjeneratave, politikën e bashkimit të Mitrovicës dhe kombit, banka për zhvillim, jo për fajde, sovranitet ekonomik mbi pasuritë natyrore dhe ligj për barazi dhe konfiskim i pasurisë së paligjshme.
Ndërsa , Visar Ymeri ka thënë për situatë politike në vend dhe sfidat kryesore që po e presin Kosovën në ditët e ardhshme, e të cilat janë zgjedhjet parlamentare, mandati i EULEX-it dhe gjykata ndërkombëtare, e cila po paralajmërohet për Kosovën.
“Lëvizja Vetëvendosje qysh nga viti 2011 ka kërkuar rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme. Sikur të përfillej kërkesa jonë, shumë të këqija që i kanë ardhur vendit nga kjo Qeveri, siç është marrëveshja e 19 prillit dhe pasojat e saj, Ligji për Amnisti dhe asociacioni i komunave serbe, nuk do të bëheshin. Kësisoj ka degraduar, sovraniteti, integriteti territorial dhe rregullimi kushtetues i vendit”, ka thënë ai. Ndërkaq sa i përket mandatit të EULEX-it dhe gjykatës apo tribunalit ndërkombëtar, të cilat sipas të gjitha gjasave do të votohen në seancën e Kuvendit të Kosovës, Ymeri ka thënë se të dyja e dëmtojnë dhe e njollosin Kosovën.
“Neve nuk na është lejuar sistemi i pavarur gjyqësor në vend, por na janë imponuar misionet, e tash po na thuhet juve ju duhet misioni ndërkombëtar dhe gjykata ndërkombëtare, sepse nuk keni sistem të pavarur gjyqësor. Përveç që na barazuan në Gjykatën e Hagës, duke na akuzuar të gjithëve nga pak, tani po na thonë se juve ju duhet një gjykatë të veçantë, për të cilën as nuk e dimë kush do ta formojë, as kush do t’i emërojë gjyqtarët, kush do ta financojë dhe kujt do t’i japë llogari”, përfundoi Ymeri.

Ndërkaq, Dardan Molliqaj ka thënë se Vetëvendosje ka qenë subjekti politik i cili e ka pasur analizën më të saktë në 9 vitet e fundit në Kosovë dhe për këtë madje pajtohen edhe kundërshtarët politikë të saj.
“ Në Kosovë kemi pasur shumë organizime politike me ide të mira, por me organizim të dobët dhe anasjelltas, organizata të forta, por me qëllime të dyshimta. Ka ardhur koha që ideve të mira të Lëvizjes Vetëvendosje!, t’ia bashkojmë edhe organizimin e fuqishëm që po bëhet me ristrukturimin dhe mobilizimin e Lëvizjes”, ka thqnq Molliqaj. Me qeverisjen në Prishtinë Vetëvendosje i tregoi opinionit publik se është e mundur të fitohet dhe të punohet pa vjedhje e pa gënjeshtra, ka përfunduar Molliqaj.

Ndërsa, koordinator i Qendrës në Deçan Arben Geci, i cili i fillimisht foli për historikun e Lëvizjes Vetëvendosje e cila lindi si nevojë e situatës, për shkak se klasa e re politike e formuar pas luftës, nuk mbrojti interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj, por u pasurua për vete. Duke folur për mobilizimin në Deçan, ai tha se Vetëvendosje dhe Deçani ka rrugëtuar së bashku dhe se shumë njerëz të rinj çdo ditë e më tepër po i bashkohen Lëvizjes. A.M

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat