Vërshime në disa fshatra të Llapit

Lajme

Vërshime në disa fshatra të Llapit

Më: 19 prill 2014 Në ora: 18:23

Disa fshatra të Komunës së Podujevës janë vërshuar nga lumenjtë që kanë dalë nga shtrati i tyre si pasojë e rritjes së nivelit të ujit nga reshjet e pandërprera të shiut, ndërsa në zonat e larta malore edhe të borës.

Për të menaxhuar situatën dhe për t’iu ofruar ndihmë banorëve të zonave të goditura nga vërshimet, që në orët e para të mëngjesit në terren kanë dalë ekipet emergjente të Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, policisë dhe ekipi emergjent nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit e Komunës së Podujevës.

Ndërsa, për të parë nga afër situatën në terren, zonat e vërshuar i ka vizituar edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu.

“Gjendja më e rëndë paraqitet në fshatin Repë, ku janë rrënuar dy ura dhe si pasojë e digës së ndërtuar në shtratin e lumit është ngritur niveli i ujit, duke rrezikuar edhe shtëpitë përreth. Falë angazhimit të ekipeve emergjente, me eskavator janë larguar mbeturinat dhe deri diku është mënjanuar rreziku nga ngritja e mëtejme e nivelit të ujit në këtë fshat”, ka theksuare Veliu, thuhet në një komunika të për media nga Komuna e Podujevës.

Edhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Faik Muçiqi, tha se si pasojë e daljes së lumit Llap nga shtrati në fshatin Repë janë rrënuar dy ura mbi lumë, kurse uji ka depërtuar edhe në oborret e disa shtëpive.

“Edhe në lagjen ‘Shala’ në Metehi uji ka depërtuar në oborre të shtëpive. Fatmirësisht nuk janë regjistruar dëme në njerëz apo në objekte të banimit. në Sekiraçë është intervenuar në mënjanimin e mbeturinave në lumë, të cilat kanë ngritur nivelin e ujit”, tha drejtori Muçiqi.

Bëhet e ditur se vërshime të tokave bujqësore ka edhe në fshatrat e tjera përgjatë lumit Llap, në Dobërdol, Bajçinë, Gllamnik, Sekiraqë, Siboc, Llugë, Lupç, Edhe lumi Dumnica ka shkaktuar vërshime në Dumnicë të Poshtme, Shtedim, Balloc, Surkish dhe Sfeqël. Vërshime ka edhe në fshatrat përgjatë lumit në Halabak, Tërnavë dhe Bellopojë.

“Në fshatin Bellopojë vërshimet kanë rrezikuar disa shtëpi në Lagjen e Malokëve, kurse ekipet emergjente kanë ofruar evakuimin e banorëve, por ata kanë refuzuar të braktisin shtëpitë e tyre, ndonëse në lagje gjendja vazhdon të jetë e rëndë”, thuhet në njoftim.

Reshjet e shiut në rajonin e Komunës së Podujevës kanë vazhduar edhe sot gjatë tërë ditës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat